Një incident i pazakontë ka alarmuar klientët dhe punonjësit e një dyqani Macy’s në Vancouver, në shtetin e Uashingtonit, pasi një 21-vjeçar u ngjit në tavanin e rremë të objektit dhe filloi të zvarritej mbi kokat e njerëzve. Ngjarja ndodhi më 30 shtator, kur punonjësit njoftuan policinë pasi vunë re burrin duke lëvizur në hapësirën mbi tavanin e rremë. Lëvizjet e tij shkaktuan dëmtime në sistemin e ndriçimit dhe kabllot e dyqanit.

Për arsye sigurie, stafi i qendrës tregtare evakuoi katin e dytë të dyqanit, ndërsa policia mbërriti në vendngjarje dhe nisi përpjekjet për ta bindur të riun të zbriste. Oficerët vendosën një shkallë që të çonte në tavan dhe vendosën një dyshek poshtë saj, në rast se ai do të binte. Megjithatë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të policisë, 21-vjeçari vazhdoi të lëvizte mbi tavan, duke shkaktuar dëme të tjera. Pas rreth një ore, burri, i identifikuar si Gabriel Hideo, pranoi të zbriste nëpërmjet shkallës. Por në momentin e fundit ai ndryshoi mendje dhe tentoi të ngjitej sërish në tavan.

Në pamjet e publikuara nga Departamenti i Policisë së Vancouverit shihet momenti kur oficerët tërheqin shkallën për ta penguar të riun të ngjitet përsëri. Hideo humbi ekuilibrin dhe ra mbi dyshekun e vendosur poshtë. “Ai ra në dyshek, u ngrit dhe u përpoq të ikte. Por, kjo nuk shkoi shumë mirë”, bëri të ditur policia në postimin e saj në rrjetet sociale. Në fund, autoritetet arritën ta arrestonin 21-vjeçarin, i cili u dërgua në burgun e Qarkut Clark. Ai përballet me akuza për dëmtim të pronës në shkallë të parë dhe vjedhje me thyerje, ndërsa ndaj tij kishte edhe një urdhër arresti për një vepër penale të rëndë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: