Shtetet e Bashkuara kanë shtuar ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, pas mbërritjes së aeroplanmbajtëses USS Theodore Roosevelt, e cila i është bashkuar dy grupeve të tjera amerikane që operojnë në rajon. Ky zhvillim vjen në një periudhë tensionesh të larta me Iranin, ndërsa Uashingtoni nuk e përjashton mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve të reja ushtarake kundër Teheranit.
Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar amerikan për rrjetin Al Jazeera, i cili bëri të ditur se anija luftarake ka hyrë në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM).
Me mbërritjen e USS Theodore Roosevelt, SHBA-të kanë tashmë tre grupe sulmuese aeroplanmbajtësesh në rajon. Ajo i është bashkuar USS George Washington dhe USS George H.W. Bush, duke rritur ndjeshëm kapacitetet detare dhe ajrore amerikane në Lindjen e Mesme.
Dërgimi i aeroplanmbajtëses së tretë ishte paralajmëruar që në fillim të tetorit. Më 8 nëntor, USS Theodore Roosevelt u largua nga Singapori, duke marrë drejtimin për në Lindjen e Mesme.
Prania e tre aeroplanmbajtëseve i jep Uashingtonit fleksibilitet më të madh operacional dhe mundësi për të dislokuar një numër të konsiderueshëm avionësh luftarakë, në rast të përshkallëzimit të situatës.
Ky përforcim ushtarak vjen në një moment kur përplasjet dhe tensionet me Iranin vazhdojnë të ndikojnë në sigurinë e Gjirit Persik dhe të Ngushticës së Hormuzit, një korridor jetik për transportin ndërkombëtar të naftës.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve nuk kanë prodhuar ende rezultatet e pritshme, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e sulmeve të tjera ndaj Iranit.
Megjithatë, mbërritja e aeroplanmbajtëses së tretë nuk do të thotë domosdoshmërisht se Uashingtoni ka marrë një vendim për nisjen e një operacioni të ri ushtarak. Deri më tani, CENTCOM nuk ka bërë të ditur ndonjë plan specifik sulmi të lidhur me këtë dislokim.
