Nga: BEN ANDONI*

Shqipëria dhe Kosova janë dy njësi krejt të pavarura në skakierën e së drejtës ndërkombëtare. Jo sepse tani edhe simbolet zyrtare i kanë të ndryshme, por edhe se angazhimet e tyre janë normalisht në gjatësi vale të ndryshme. Është e kuptueshme se Shqipëria, për shkak të zhvillimit të saj dhe pavarësisë mbi-shekullore, gjendet më afër integrimit në strukturat evropiane, kurse Kosovës i duhet të djersijë ende shumë, të arrijë në parametrat normalë.

Vetëm se të dy shtetet janë njësoj për shumë gjëra dhe mbi të gjitha sa i përket përfaqësimit të tyre politik në parlament e përgjegjësisë së munguar para problemeve jetike. Tashmë është radha e Kosovës që ‘ta trandë’ Brukselin me bëmat e saj. Në një konstatim të thjeshtë, që bën çdo i huaj, kupton diçka se të dy vendet shqiptare janë gati të njëjtat politikisht. Opozita e djeshme e Tiranës zyrtare bëri shumë herë luftë të ashpër, por që në fund pajtohej normal me pushtetin, kurse opozita e tashmë e Kosovës po bën luftën e saj për të hedhur poshtë marrëveshjet e Brukselit, e ku i dihet mund të ndodhë se edhe shpejt të bëjë kompromis. Deri më tani, fatkeqësia është se mungesa e gjuhës së përbashkët në parlament për ekzistencën e Asosiacionit sllav, po e bën edhe de facto institucion atë. Që do të thotë se mungesa e vizionit për të ardhmen sesi do të veprohej me këtë stad të ditur (paradoksalisht ka vite që lajmërohet), jo vetëm s’është marrë parasysh, por më shumë se kaq është mënjanuar në Kosovë. Dhe, këtë qartësisht se kanë pasur për borxh qytetarët e Kosovës që po i bie bretku në një jetë që po u bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe njësoj si shqiptarët e këtej kufirit po e zgjidhin me largimet masive nga vendi. Më shumë akoma, shqetësim është se politikanët kosovarë po e imitojnë papjekurinë e Tiranës zyrtare, që shumëkush e kundron çdo të enjte në foltoren e parlamentit. Në momentet kur vendet tona janë para udhëkryqeve të tilla, si kjo e Asosiacionit dhe marrëveshjet e tjera jetike, nuk ka alternativa, por vetëm dhunë dhe sharje, sikur të mos ketë një Kosovë dhe një Shqipëri, por nga dy syresh. Arsyeja dihet, por nuk duam ta pranojmë: Kosova dhe Shqipëria janë mbushur me demagogë, shpërdorues dhe njerëz të pakualifikuar që interesat e shqiptarëve i kanë zbritur pas meskinetit të tyre dhe kinse lojës në parlament. Shqipëria amë jo vetëm s’është shembull në Kosovë e Maqedoni, por është shpesh mjet tallje me bëmat dhe papërgjegjshmërinë e strukturave të saj. Mjafton të kujtosh bëmat e dikastereve tona: mungesën e demokracisë formale brenda partive, ku individët mëndjehapur nënvlerësohen, të kuptosh se niveli demokratik në këto anë ka rënë atje ku s’mban më. E më shqetësues është fakti se edhe e ashtuquajtura e keqja dhe e mira, që kinse po përfaqësohet sot në Kosovë e Shqipëri, nuk përshfaq realisht vendet tona, por thjesht interesa.

Në këtë udhëkryq, Tirana zyrtare mund të bënte shumë me shembullin e saj edhe politikës shumë të hapur, por pa anashkaluar dhe pa përsëritur me elegancën cinike deklaratën klishe… se Kosova sot është shtet më vete, duke i faturuar shmangjen.(javanews)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb