Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari deklaroi mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Frontline’ në News24 se vendimi i KAS, që regjistroi në zgjedhjet e 14 majit PD e drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj, është një përpjekje e dështuar e Ramës për të tërhequr vëmendjen nga arrestimi i kryebashkiakut të tij të Bulqizës, Lefter Alla.

Braimllari tha se koalicioni ‘Bashkë fitojmë’ do të jetë një koalicion fitues për të kthyer llogaridhënien në 14 maj.

“Kemi një koalicion fitues, për të rikthyer llogaridhënien në 14 maj. Në 14 maj do të ketë një bazë të gjerë pjesëmarrje. Nuk ka shanse Rama! E ka humbur atë shans që kur iku Basha. Partia e Lirisë e ka bërë publike e do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore dhe e ka bërë të qartë se do garojë në këshillat bashkiakë. Ky bashkim energjish, “Bashkë fitojmë” është i padiskutuar. Vendimi i KAS është përpjekje e dështuar e Ramës, për të tërhequr vëmendjen nga arrestimi i kryebashkiakut të tij të Bulqizës. Fatin e Allës do e ketë dhe Veliaj dhe këshilltarët e tij në Bashki. Ne kemi një mision, një koalicion të gjerë, fitues, dhe një ekip të vetëm. ‘Bashkë fitojmë’ është koalicioni që siguron fitore. Nga të gjitha analizat, sondazhet, kërkohej bashkim. Ne i dhamë bashkim opozitës për të realizuar fitoren. Ky bashkim nuk është në emër të dy partive, por në emër të qytetarëve. Do marrë fund një herë e përgjithmonë regjimi monist që ka ngritur Rama.

Kam bindjen që ky koalicion është i qytetarëve dhe do të shkojë tek ta përmes kandidatëve. Ata janë shumë herë më të mirë se ata që ka PS në terren. Ne jemi mbështetës dhe jam i sigurt që me këta kandidatura ne fitojmë. Të 61 kandidaturat përfaqësojnë dhe PL-së. PL u tërhoq nga qëndrimet e saj pragmatiste me qëllim që të arrijmë fitoren më 14 maj. Për herë të parë në 32 vite, zgjedhjet lokale janë historike. Ju garantoj që do të kemi një program ambicioz për të mirën e qytetarëve. Siç kemi kreditë e buta për familjet e reja. Do prezantojmë çdo ditë programet që janë në interes të qytetarëve. Ju garantoj me përgjegjësi të plotë, se Veliaj çon para për investime publike dhe për paga punonjës. 80 milion euro është fondi i pagave, mes tyre janë fotografët dhe kuruesit e imazhit të Veliaj. Po ç’ndodh me familjet shqiptare? Janë në varfëri ekstreme. Pse nuk shkojnë këto 80 milionë euro për ta?

Tirana është tmerr dhe në trafik dhe këtë e vuajnë të gjithë njësoj. Kush kërkon të krijojë një familje në Tiranë, e kupton vështirësitë. Më parë nuk kishte shanse që të kalonte buxheti i Bashkisë pa u konsultuar me qytetarët. Nismat merreshin nga këshilltarët e LSI-së. Që prej vitit 2019 dhe s’ka asnjë mbledhje live të Këshillit Bashkiak.”, tha Braimllari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb