Artisti i njohur Kastro Zizo ishte i ftuar në programin “Dola te Ola” në televizionin News24, ku bëri një rrëfim për jetën e tij familjare, por edhe për atë profesionale.
Kastro Zizo gjithmonë ka spikatur për mënyrën e paraqitjes në daljet e tij skenike, qoftë për këngët e realizuara me një zhanër të veçantë, por edhe për stilin e tij të të veshurit.
Artisti foli për rrugën e tij artistike, e cila ka nisur me suksese që në adoleshence, dhe tashmë po vijon të nderohet me çmime edhe jashtë vendit.
Kastro u vlerësua me çmimin “Artisti i Vitit” për vitin 2022, për arritjet dhe kontributin si artist dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Ky vlerësim u bë i mundur nga komuniteti artistik i Nju-Jork dhe me kërkesë nga zyra e senatorit të SHBA-së në Nju-Jork, z. Chuck Schumer.
“Është një nga çmimet më të rëndësishme të jetës sime”, tha ai, teksa tha se ky vlerësim u pasua me një tjetër çmim më 26 janar edhe nga kryetari i bashkisë së Nju-Jorkut. “Më erdhi si dhuratë për 25-vjetorin e karrierës sime”.
I pyetur se ku synon ta vazhdojë karrierën e tij në Shqipëri apo SHBA, ai tha, “Jam një njeri që jetoj në planetin tonë. 101 është një projekt mes Tiranës dhe Nju-Jorkut. Do të promovoj Tiranën me të mirat dhe të këqijat e saj. Do të jenë 6 këngë me 6 artistë që jetojnë përtej oqeanit dhe këtu. Në SHBA kam ndjerë konceptin e lirisë. Ndonjëherë ndjej që i përkas atij vendi”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: