Të paktën katër palestinezë u vranë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës , thanë mjekët, ndërsa ndërmjetësit u takuan me zyrtarë të Hamasit për të diskutuar fazën e dytë të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të.

Mjekët thanë se sulmi kishte në shënjestër një grup burrash jashtë një shkolle në Deir al-Bala, në Gazën qendrore, duke vrarë tre persona. Në një incident të veçantë, një person u vra dhe një tjetër u plagos në një kafene në Qytetin e Gazës, tha i njëjti burim.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar për asnjërin incident.

Më shumë se 750 palestinezë janë vrarë që kur marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi më 10 tetor 2025, ndërsa katër ushtarë izraelitë kanë humbur jetën në të njëjtën periudhë.

Hamasi dhe Izraeli akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Ndërkohë, Hamasi dhe grupe të tjera palestineze janë takuar në Kajro që nga e shtuna me ndërmjetës nga Egjipti, Turqia dhe Katari për të diskutuar zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes.

Bazuar në planin e propozuar nga Këshilli i Paqes i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Hamasi do të duhet të dorëzojë armët e tij gradualisht gjatë një periudhe tetëmujore, pasi një komitet teknokratësh palestinezë i mbështetur nga SHBA-ja të marrë përsipër qeverisjen e Gazës.

Por çarmatimi i Hamasit përbën një pengesë serioze për zbatimin e planit të paqes.

Dy zyrtarë të njohur me bisedimet e fundit thanë se Hamasi u tha ndërmjetësve se bisedimet për çarmatimin e grupit mund të ecin përpara vetëm pasi Izraeli të zbatojë plotësisht fazën e parë të planit Trump, i cili kërkon një armëpushim të plotë në Gaza.

Ndërkohë, zyrtarët ushtarakë izraelitë kanë thënë se po përgatiten të rifillojnë operacionet në shkallë të gjerë në Gaza nëse Hamasi nuk i dorëzon armët e tij.

Ndërkohë, OKB njoftoi sot se kalimi kufitar Zikim në Gazën veriore po rihapet, duke lejuar kalimin e konvojeve humanitare për herë të parë që nga 28 shkurti, fillimi i sulmeve SHBA-Izrael kundër Iranit.

“Kolegët tanë në Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) na tregojnë se autoritetet izraelite kanë rihapur kalimin kufitar Zikom në Gazën veriore për herë të parë në më shumë se 40 ditë”, tha Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Menjëherë pas fillimit të operacionit ushtarak izraelito-amerikan kundër Iranit, Izraeli njoftoi mbylljen e të gjitha pikave të kalimit në enklavën palestineze për arsye “sigurie”, përpara se të rihapte kalimin Kerem Shalom, pikën kryesore të kalimit humanitar në jug të Gazës.

Pas marrëveshjes së armëpushimit të 10 tetorit, ushtria izraelite ende kontrollon më shumë se gjysmën e Rripit të Gazës, në veçanti të gjitha zonat që kufizohen me Izraelin dhe Egjiptin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb