“Los Blancos” operacioni ndërkombëtar i shtrirë në 10 shtete, përfshi edhe Shqipërinë, për të cilin u hetua plot 5 vite, rezulton të jetë operacioni më i madh kundër një grupi kriminal të kokainës, që drejtohej nga një shqiptar.

Ndërsa policia shqiptare njoftoi se në vendin tonë janë arrestuar 5 persona si pjesë e këtij grupi, pa specifikuar rolin e tyre, u bë me dije se karteli i drogës fshihej nën emrin ‘Kompania Bello’.

Nga hetimet ka rezultuar se “KOMPANIA BELLO”, që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën drejtohej nga një shqiptar.

Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia, si dhe numri i personave të arrestuar ka shkuar në 20 persona.

Kreu i “Kompanisë Bello” rezulton të jetë Gramoz alias Dritan Rexhepi, i njohur për një tjetër ngjarje të bujshme në Shqipëri, siç ishte pengmarjra dhe vrasja e Jan Prengës. Rexhepi u arrestua në Ekuador në vitin 2014 duke transportuar një ngarkesë prej 278 kg kokainë.

Nga burgu ekuadorian, në bashkëpunim me M. B, G. D dhe K.G, ai porositi pengmarrjen dhe vrasjen e Jak Prengës, 49 vjeç, baba i pesë fëmijëve. Ka qenë një telefonatë e Dritan Rexhepit, nga qelia e burgut të Ekuadorit që ka bërë bashkë tre grupe kriminale në Shqipëri, atë të Shijakut, Vlorës dhe Shkodrës, pasi vëllai i viktimës, Astrit Prenga nuk kishte dorëzuar një ngarkesë prej rreth 300 kg lëndë narkotike kokainë te grupi kriminal i Dritan Rexhepit në Britaninë e Madhe. Për rrjedhojë banda urdhëroi marrjen peng të 49-vjeçarit për t’i bërë shantazh vëllait të tij. Por për shkak të dhunës së ushtruar, babai i pesë fëmijëve ka ndërruar jetë përpara se të dërgohej në vendin ku do të mbahej peng, në resortin e familjes Hajri në Shijak.

Si pjesë e grupit u arrestua në Dubai edhe Eldi Dizdari, apo i njohur ndryshe si Denis Matoshi. Ai është shpallur në kërkim pas masakrës së “ish-Bllok”, pasi dyshohej si një nga personat kyç që ka lidhje me ngjarjen e rëndë. Dyshohet se Eldi Dizdari kishte mosmarrëveshje me biznesmenin Ervin Mata për pazare droge dhe kjo ka çuar në përplasjen mes tyre. Dizdari është kushëriri i Arbër Çekajt, pronari i kompanisë “Arbri Garden” ku para më shumë se një viti u sekuestrua një sasi prej 613 kilogramësh kokainë.

Në lidhje me superaksionin ndërkombëtar, agjencia e zbatimit të ligjit e BE sqaron se bëhet fjalë për “një operacion policor i koordinuar me përpikmëri në 10 vende ka shkatërruar një grup të krimit të organizuar shqiptar që kontrabandonte kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë duke çuar në arrestimin e 20 të dyshuarve. Europol tha të enjten se banda, e njohur si Kompania Bello, ishte një nga rrjetet më aktive të trafikut të kokainës në Evropë.

Europol ndihmoi në koordinimin e një serie bastisjesh nga qindra oficerë policie të martën që çuan në arrestime pas një hetimi pesë-vjeçar, të udhëhequr nga Italia. flitet për një bandë të pazakontë në tregtinë ndërkombëtare të drogës pasi kontrollonte çdo aspekt të zinxhirit të furnizimit – nga rregullimi i dërgesave të drogës nga Amerika e Jugut deri te shpërndarja e tij në të gjithë Evropën”,- siç shkruan Associated Press.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb