Katër vatra zjarri janë shuar gjatë dy ditëve të fundit në Has dhe Tropojë, ndërsa situata është mbajtur nën kontroll falë ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës, strukturave përkatëse dhe banorëve të zonave të prekura.
Sipas Drejtorisë së Emergjencave Civile, në Has vatrat e zjarrit janë evidentuar në pyje dhe kullota në fshatin Perollaj, në Njësinë Administrative Golaj, si dhe në fshatin Cahan, në Njësinë Administrative Krumë.
Ndërkohë, në Tropojë zjarret janë regjistruar në fshatin Dushaj, në Njësinë Administrative Fierzë, dhe në Sopot, në Njësinë Administrative Tropojë e Vjetër.
Pavarësisht terrenit të thyer malor dhe vështirësive për ndërhyrje, ekipet në terren kanë arritur të izolojnë vatrat dhe të shmangin përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Nga zjarret janë djegur shkurre dhe mbeturina, ndërsa nuk janë raportuar dëmtime në sipërfaqe pyjore apo bimësi.
Ndërhyrja e shpejtë e strukturave të emergjencës ka parandaluar që zjarret të marrin përmasa më të mëdha dhe të rrezikojnë zona të tjera.
Në kushtet e temperaturave të larta dhe rritjes së rrezikut për zjarre, Bashkitë Has dhe Tropojë u kanë bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.
Ndërkohë, zjarrfikësit e Bashkisë Kukës i janë bashkuar ekipeve të tjera që po punojnë për përballimin dhe izolimin e zjarrit në Lurë. Ekipet e Shërbimit Zjarrfikës kanë transportuar ujë në terren, duke ofruar mbështetje në luftën kundër flakëve në një zonë të karakterizuar nga terreni i vështirë.
Në ndihmë të operacionit në Lurë janë angazhuar edhe mjete dhe kapacitete të tjera, me qëllim forcimin e ndërhyrjes dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në sipërfaqe të tjera.
