GREQI-Edhe gazeta greke ‘Kathimerini’ shkruan se ministri i Jashtëm grek ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në samitin e ministrave të Jashtëm që zhvillohet të premten në Tiranë. Sipas gazetës, qëndrimi i Shqipërisë lidhur me kërkimet për hidrokarbure në Jon, është një lëvizje e qartë për të vënë në pikëpyetje kufijtë mes dy vendeve dhe pas kësaj situate qëndron Turqia.

Shtypi grek vazhdon të shkruajë për atmosferën e tensionuar që mbizotëron së fundi në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, për shkak të qëndrimeve të Tiranës zyrtare, lidhur me kërkimet për hidrokarburet në detin Jon. Gazeta greke ‘Kathimerini’ shkruan se Tirana zyrtare pretendon që kërkimet po bëhen në ujëra territoriale shqiptare. Sipas ‘Kathimerini’, ky qëndrim është një lëvizje e qartë për të vënë në pikëpyetje kufijtë mes dy vendeve dhe pas kësaj situate qëndron Turqia. Gazeta shkruan se Turqia “po e nxit Shqipërinë të punojë kundër interesave greke”.

Ashtu si gazeta ‘To Vima’ dy ditë më parë edhe ‘Kathimerini’ shkruan se vizita e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Tiranë i ka shërbyer këtij tensioni. Sipas shkrimit, dyshimi se Ankaraja është duke punuar kundër interesave greke në zonë u forcuan javën e kaluar, pasi Presidenti turk u takua në Tiranë me zyrtarë nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU). Diplomatët i thanë ‘Kathimerini’¬-së se me gjasë takimi kishte për qëllim të rindezë çështjen e riatdhesimit të shqiptarëve të Çamërisë të dëbuar në fund të Luftës së Dytë Botërore, gjë që Greqia e konsideron çështje të mbyllur.

“Në dritën e këtyre zhvillimeve, Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias nuk e ka konfirmuar nëse ai do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Tiranë të premten”, e mbyll shkrimin ‘Kathimerini’.

(a.n/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: