Sipas Komisionit Evropian, Bosnja dhe Hercegovina është e përgatitur të nisë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Ky vend ishte kategorizuar tashmë nga BE që në vitin 2022 si vend kandidat.

“Që kur i dhamë këtij vendi statusin e kandidatit, ai ka bërë hapa mbresëlënës drejt nesh”, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një fjalim në Parlamentin Evropian. “Në pak më shumë se një vit është bërë më shumë përparim se në më shumë se dhjetë vjet.”

Harmonizimi me BE-në në kohët e “trazirave gjeopolitike”

Natyrisht, është i nevojshëm përparim i mëtejshëm për t’u pranuar në Bashkimin tonë, vazhdoi von der Leyen. “Por ky vend po demonstron se mund të përmbushë kriteret e anëtarësimit dhe mbështet aspiratat e qytetarëve të tij për të qenë pjesë e familjes sonë.”

Von der Leyen-i vlerësoi ndër të tjera përparimin e bërë në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe në menaxhimin e migracionit. Janë ndërmarrë edhe hapa të rinj drejt pajtimit ndërmjet grupeve të ndryshme etnike. Ky vend është përafruar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE, diçka veçanërisht e rëndësishme në “kohë trazirash gjeopolitike”.

Perspektivat për anëtarësim në BE që nga viti 2003

Një arsye e rëndësishme për përfshirjen e Bosnjë-Hercegovinës në grupin e kandidatëve për anëtarësim ishte edhe shqetësimi se vendi ballkanik, me një popullsi prej rreth 3.2 milionë banorësh, mund të kthehet drejt Rusisë ose Kinës. Ky vend i dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë ka shumë vite që pret anëtarësimin në BE.

Vende si Austria, në veçanti, kohët e fundit kanë nxitur që Bosnja dhe Hercegovina të ketë perspektivën për të ecur përpara në procesin e pranimit. BE i kishte ofruar Bosnjë-Hercegovinës perspektivën e anëtarësimit që në vitin 2003. Por zyrtarisht, Bosnjë-Hercegovina paraqiti një kërkesë për anëtarësim në vitin 2016.

Dhjetorin e kaluar, krerët e shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare të BE ranë dakord të fillonin negociatat e anëtarësimit, sapo të finalizoheshin reformat e reja. Ata tani pritet të vendosin në takimin e tyre pranveror më 21-22 mars, a do ta pranojnë rekomandimin e Komisionit Evropian

Nuk ka garanci për anëtarësim në BE

Nëse votohet pro, Bosnjë-Hercegovina do të jetë aq larg në procesin e anëtarësimit në BE sa janë Ukraina dhe Moldavia. Fillimi i negociatave të anëtarësimit me këto dy vende tashmë është vendosur.

Koha nga fillimi i negociatave deri në anëtarësim në BE është plotësisht e hapur. Turqia, për shembull, u bë kandidate e BE në 1999, por nuk është ende anëtare. Në teori, një vend kandidat mund të mos bëhet kurrë anëtar./DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb