Snezhana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, ka deklaruar se nëse do të kishte qenë në vendin e Slobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte pastruar etnikisht Kosovën.

Këto deklarata ajo i bëri gjatë një interviste në televizionin serb “Kurir”.

“Nëse do të kisha qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën. Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që kam thënë ndonjëherë. Jo në mënyrën se si duan të na likuidojnë, por në një mënyrë të tillë që të mos ndihen pjesë e Serbisë dhe të shkojnë në vendin e tyre amë”, tha ajo.

Paunović njihet për qëndrimin e saj anti-Kosovë. Në vitin 2022, kur ishte nënkryetare e Parlamentit të Serbisë, ajo bëri thirrje për arrestimin dhe dëbimin e të vetmit deputet shqiptar në Serbi, Shaip Kamberit. Ai e bëri këtë të ditur në një postim në Facebook.

“Nëse kemi bërë gabim duke e liruar Albin Kurtin nga burgu, le të mos e bëjmë të njëjtin gabim duke mos e arrestuar Shaip Kamberin. Nëse kjo nuk është e mundur, duhet ta largojmë që këtej”, deklaroi ajo në seancën parlamentare ku u debatua dialogu Kosovë-Serbi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb