Nga: AHMET SHQARRI*
Pas zgjedhjeve të fundit, pavarësisht rezultatit, të gjithë pretendojnë se kanë fi tuar(!?), por me të drejtë lind pyetja: kush ka humbur në këtë rast? Ky lloj perceptimi i çuditshëm i zgjedhjeve te ne, paçka se numërimi i votave i ka ndarë qartë sinorët e secilës parti, humbësin e vërtetë e njeh dhe e gjen vetëm tek elektorati! Se, ndërsa partitë vazhdojnë lojën e tyre të përjetshme, e lagu s’e lagu, duke i fryrë dhe majmur drejtuesit e tyre deri në shëmti, populli është ai që vuan dhe i shtrëngohet gjithnjë e më tepër litari rreth qafës. Premtimet lumë që vërshuan mbi turmat këtë herë më të pakësuara të zgjedhësve, janë grumbulluar kapicë aty brenda dosjeve të rënda të ish-kandidatëve dhe kushedi se kur do të mund të hapen për të parë dritën e diellit, e ndoshta për t’i dhënë edhe zgjidhjen e kërkuar. Por ja që iluzionet e shumta mbeten vazhdimisht pezull, si ato ëndrrat e parealizuara që shohim, ngaqë ne vetë i prishim të gjitha, me veprime dhe anomali tipike të stilit shqiptar. Akti kriminal i vrasjes së një polici në krye të detyrës, vetëm 3-4 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve që ne po i quanim si më të mirat e zhvilluara deri tani, zbulon brishtësinë dhe vrazhdësinë në të njëjtën kohë të rrugës nëpër të cilën demokracia po përshkohet prej sa e sa vitesh te ne. Pyetja e mësipërme, nëse kemi fituar apo humbur ne shqiptarët në këtë rrugëtim tonin kaq problematik, me sa duket, do shumë kohë për të marrë një përgjigje të saktë e të plotë, dhe kështu siç po ecim, duke e lënë fatin tonë peng të të papërgjegjshmëve dhe të ca banditëve, vështirë të ndodhë ajo që po presim e dëshirojmë të bëhet për të gjithë. Mesazhi që na erdhi së fundmi prej qeverisë amerikane, nëpërmjet ambasadës së saj në Tiranë, paralajmëronte qartë se, “Vendosmëria e dukshme e partive për të kandiduar njerëz të dyshuar për krime, përbën një poshtërim të popullit shqiptar…”!
Kur punët nuk shkojnë mirë, ne shqiptarët jemi të parët dhe të vetmit që mund të nxjerrim justifikime nga më të ndryshmet për të përligjur mangësitë dhe prapësitë e veprimeve tona. Nuk po shkojmë larg në kohë dhe po shohim se si mjaft gjëra kanë mbetur në vend, ashtu si më parë. Për këtë mjafton të hedhësh një vështrim mbi këtë gjysmë mandati të ekzistencës së mazhorancës së sotme, ku më shumë bie në sy zbukurimi dhe paraqitja e jashtme e fasadave të objekteve, sesa vetë brendia e tyre mbushur plot me probleme të ndërlikuara. Ato që nuk shihen të bëhen prej kohësh dhe që u premtuan përsëri plot bujë në zgjedhjet e këtyre ditëve, se do të realizohen prej atyre që do të merrnin në dorë pushtetin, mbeten ende si një lëmsh që vështirë se mund t’i gjendet filli për t’u zgjidhur. Nuk është thjesht një mosbesim apo çështje pesimizmi, por ajo që kemi dëgjuar e po vazhdon të na shurdhojë veshët nga gjithsecili prej atyre që sa marrin pushtetin, na thonë e përpiqen të na mbushin mendjen se “duhet të na jepni më tepër kohë”, se “është ende shumë shpejt për të bërë ato që kërkohen”, se “ata që ishin para nesh e lanë trokë këtë vend, duke e zhytur atë në një korrupsion të paparë”, si dhe justifikime të tjera të këtij lloji, nuk bëjnë gjë tjetër veçse na lënë një shije gjithnjë e më të pështirë, ndaj këtij mjedisi që për fat të keq ende kundërmon nga plehrat që na rrethojnë. Sepse, siç po shihet, koha kalon dhe korrupsioni me vjedhjet vazhdon si më parë, papunësia mbetet po ajo plagë ende e pashërueshme, ndërsa vrasjet dhe mungesa e rendit po ashtu janë gjithnjë të pranishme. Ashtu siç kam përmendur edhe në komentet e shkuara, edhe ndonjë rezultat pozitiv që na vinte më parë prej peshëngritjes në arenën ndërkombëtare dhe që në një farë mënyre na “e zbukuronte” paksa imazhin tonë nëpër botë, tashmë është zbehur dukshëm prej manipulimeve me substancat e ndaluara që ka përfshirë së fundmi edhe sportistë të tjerë tanët, për shkak të të cilëve edhe ndonjë rezultat i lartë i atletes Luiza Gega, e mbuluar me rekorde e medalje, kalon thuajse deri në mospërfillje, prej opinionit të zhgënjyer keqas nga e gjitha kjo katrahurë që na ka pushtuar.
Disa “vlera” plot mburrje e demagogji që përpiqemi t’ia kujtojmë botës vend e pa vend, nuk janë të mjaftueshme për të plotësuar e bërë më të qartë karakterin tonë të çorientuar, përballë një Europe që përpiqet të na pranojë në gjirin e saj me të drejta të barabarta, krahas kombeve të tjera të qytetëruara, pikërisht sepse, ne përsëri vazhdojmë të gënjejmë e të mashtrojmë njëri-tjetrin, të vjedhim e të vrasim, si dhe të bashkëjetojmë mes maskarenjsh. Sepse, ne kemi mbetur po atje ku kemi qenë, duke mos ditur ende nëse kemi fituar apo kemi humbur…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: