Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte i ftuar aktori i njohur Neritan Liçaj, i cili njihet nga të gjithë për natyrën e drejtpërdrejtë dhe si njeri që nuk ka frikë ta thotë të vërtetën me zë të lartë.

Prishja e Teatrit Kombëtar është një ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik dhe Neritan Liçaj ishte një nga ata që e mbrojti me gjithë forcën e tij. Kur në studio u shfaq një foto ku ai i shihej pranë Teatrit, rrethuar asokohe nga policia, aktori kujtoi ato momente të trishta.

“Kam respekt për uniformat se kam patur tim atë ushtarak, por institucionet kanë për detyrë të mbrojnë, dhe jo të vijnë në orën 4 të mëngjesit për të prishur”, tha ai ndër të tjera. “Ne kemi një shtet që është armiku i popullit. Ka shkatërruar arsimin, artin dhe kulturën”.
Teksa në studio u përmend shembja e “Prestige Resort”, Neritan Liçaj e cilësoi një tragjedi duke shtuar se jemi në shekullin e 21 por kemi hyrë në bolshevizëm. “Askush nuk mund të bëjë çfarë të dojë”, tha ai, referuar kryeministrit.
Ndërkohë në lidhje me interpretimin e tij në teatrin “ArTurbina” ai tha se ka patur edhe nga ata që e kanë kritikuar, por Liçaj theksoi se edhe në një skenë një metër katror ai do të ngjitej. “ArTurbina nuk është i duhuri por unë do të dal dhe do të them atë që kam për të thënë. Arti është një nevojë e brendshme. Zëri im thotë të vërtetat e autorëve të mëdhenj dhe ato që ata kanë shkruar janë kaq aktuale”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: