I ftuar në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte aktori Neritan Liçaj, i cili foli për jetën e tij profesionale dhe private.
Ai kujtoi fillimet e karrierës së tij dhe veçoi periudhën e Liceut duke theksuar se do t’i pëlqente të kthehej në atë kohë dhe të rijetonte ato vite, “Donim që me artin tonë të ndryshonim botën”.
Gjatë programit u shfaq një fotografi nga shfaqja e tij e parë në Paris kur ai sapo kishte mbaruar shkollën, Liçaj kujtoi emocionet e mëdha dhe tha ishte arritje e madhe që publiku parisien ta duartrokiste. Teksa u pyet se mes teatrit dhe filmit kë do të zgjidhte, ai u shpreh se të dyja janë dashuri të mëdha por teatri është “live” dhe i vërtetë.
Aktori rrëfeu edhe marrëdhënien e ngushtë që ka patur me prindërit, teksa zbuloi se më i lidhur ka qenë me babanë, pasi ai pranonte më shumë dhe ishte më i hapur në komunikim. “Mami ishte ajo që thoshte që fëmija duhet të bëjë atë që thotë prindi”.
Ndërkohë për motrën dhe bashkëshorten e tij, Liçaj tha “Dy femrat më të mira të jetës sime. Kam qenë me fat që i kam patur. Kanë qenë ushqim për mua”, duke shtuar se nuk e imagjinonte dot jetën pa to.
Neritan Liçaj është baba i dy djemve dhe në program kujtoi emocionet kur u bë baba për herë të parë, “Fëmija është shumë i shenjtë”, tha ai, duke e cilësuar momentin kur ka dëgjuar të qarat e djalit të tij të madh, si një moment para dhe pas Krishtit. “Unë nuk i përkisja më vetes por asaj gjësë së vogël. Fëmija është gjeja më sublime. Jap jetën për fëmijët pa u menduar dy herë”.
Moment shumë i bukur në studio ishte edhe kur në “Dola te Ola” u shfaq një video-mesazh surprizë nga djali i tij i madh, Marku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: