Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar edhe një herë profesionalizmin dhe kurajën e kreut të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, ndërsa shtoi se “Këneta” është përpjekur disa herë ta bëjë pis duke hedhur mbi të dhe familjen e tij “llum”.

Megjithatë Rama tha se pavarësisht të gjithave Dumani nuk kishte mundësi të bënte atë që ka bërë në krye të strukturës së posaçme, sa kohë që shpata e drejtësisë ishte në zyrat e kryeministrave që nga 1912, duke shtuar se ishte pikërisht PS ajo që i dha “armët” që të luftonte në vendosjen e barazisë para ligjit.

“Populli është minimalisht një shkallë më lart dhe më i zgjuar se më i miri dhe më i bukuri nga ju dhe nuk i beson gënjeshtrat me gjysmën e qeverisë në burg. Populli ka kujtesë dhe kupton pse drejtësia nuk ka qenë e tillë më parë, në kohën e kënetës ku pllaquritesh ti.
Kështu që kjo teoria jep dorëheqjen nuk funksionon. Ndaj PS do të marrë rezultatin më të mirë ndonjëherë, sepse populli sheh përpjekjen më serioze për të vendosur barazinë para ligjit, me të gjithë problematikat që ka. Dumani është prokuror me kurajë dhe integritet. Që kur erdhi në krye të SPAK lufta për të vendosur barazinë para ligjit shkoi në një nivel tjetër, Ky është fakt dhe nuk kemi se çfarë i themi. Por Dumani nuk erdhi as nga hëna as e sollën me avion apo anije nga një shtet tjetër.
Ishte prokuror prej vitesh, por nuk e kishit dëgjuar. Këneta është përpjekur që atij dhe familjes së tij ti hedhë llumin e saj në kokë.

Si ka mundësi se nuk kishte thirrur më parë një politikan apo një figurë të lartë zyrtare. Ka pasur frikë? Nuk mendoj. Nuk kishte frikë se ishte i çarmatosur, ai dhe ata në sistem që nuk ishin pjesë e llumit që pastroi vettingu apo atij pak llumi që ka mbetur.
Asnjë herë askush nuk ka bërë asnjë hap për të çliruar drejtësinë nga kthetrat e pushtetit.
Shpata e ndëshkimit ka qenë në këto zyra që nga 1912”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb