Ish-nënkryetari i Bashkisë Librazhd, njëherësh dhe ish-administrator i ekipit Sopoti Andri Çota ka rënë në prangat e policisë.

Hetimet disa mujore kanë konstatuar se Çota ka shpërdoruar detyrën si administrator i ekipit të Sopotit, të cilin e drejtoi për 8-vite. Ish-zyrtari akuzohet se e ka trajtuar si pronë private ekipin “Sopoti” dhe fondet që ka dhënë Bashkia.

Mësohet se ka qenë një denoncim i kryer në polici nga sekretari i përgjithshëm në bashki shtetasi B.P që ka vënë në lëvizje policinë e Librazhdit dhe Elbasanit. Shtetasi B.P. ka deklaruar në polici se Z.Çota administron një faqe në facebook me emrin Librazhdi Meme, të cilin sipas tij e përdor për qëllime dashakeqe, duke kaluar në ofendime dhe sharje personale,duke mos kursyer as familjen. Denoncuesi pretendon se Çota nëpërmjet këtij rrjeti social ka tentuar të denigrojë edhe figurën e tij. Kaq ka mjaftuar që togat blu të nisin një hetim të mirëfilltë dhe të zbulojnë disa nga shkeljet e ish zyrtarit të lartë.

 

NJOFTIMI I POLICISË
Finalizohet operacioni policor i koduar “Loading”, pas 1 muaji hetime me metoda proaktive.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Në vijim të punës operacionale hetimore, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të shpërdorimit të detyrës, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, pas një muaji hetime me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Loading”.

Si rezultat, është kapur dhe ndaluar shtetasi Andri Çota, 37 vjeç, banues në Librazhd.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, më datë 21.09.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se gjatë kohës që ka mbajtur postin nënkryetar i bashkisë Librazhd, ka keqpërdorur fondin për klubin sportiv, duke shkaktuar dëm ekonomik.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb