Biznesmeni Nikollaq Neranxi ka folur për News24 e Balkanweb menjëherë pas kërcënimit që iu bë sot në fshatin Livadh të Himarës ku po pushonte me familjen.

Ai tha në një lidhje telefonike se pas këtij kërcënimit qëndrojnë forca të errëta që duan të grabisin pronat në Himarë. Neranxi mohoi të ketë probleme pronësie duke thënë se “Nuk ka burrë që të marrë pronat e mia”

Zoti Neranxi kush ju ka kërcënuar dhe pse?
Sot rreth orës 2 e ca në Livadh, aty ku unë dhe kam pronat e mia isha me familjen time, gruan e djalin, më vjen një makinë, një xhip, ndalon aty dhe më thotë “ju jeni Neranxi?” Unë jam po kë kërkoni ju, i thashtë? “Ta tregoj unë kë kërkoj”. Shkoi parkoi makinën dhe erdhi. Më tha mos kalo nga hoteli im, unë të fus plumbin në kokë, unë të bëj këtë, të bëj atë. Djali im u shokua. Ai mu drejtua me fjalët më fyese, më tha lajm Luis Kumbaro, jam pronar i hotelit dhe mos kalo nga hoteli se do të vras, do të zhduk. Unë jam shumë i revoltuar, i frikësuar dhe i trembur. I kërkova ndihmë edhe policisë në Himarë dhe nuk më shoqëroi.

E njihnit personin në fjalë, e kishit takuar më parë?
Mendoj se është nga persona që kanë qëllime të errëta për grabitjen e pronave në Himarë. Duan të godasin personat që kanë prona në Himarë, një nga ata jam unë. S’kam asnjë problem me pronat. Nuk ka burrë që të marrë pronat e mia si nuk ka burrë që të më vërë pistoletën në kokë.

Do të kërkoj ndihmë nga të gjitha shoqatat, kam përkrahje nga të gjithë për të kuptuar se në Himarë po bëhet gjenocid nga persona shumë të rrezikshëm në shoqëri. Ai person ishte edhe i armatosur.

Kujt i referoheni me “forca të errëta”?
I referohem personave që kanë para dhe kërkojnë leje ndërtimi për të ndërtuar hotele. Në Himarë po grabiten pronat, pronat buzë detit. Po grabiten pronat e detit Jon dhe jo në veri të Shqipërisë. Po godasin Neranxin që të ulin të tjerët që të mos ngrenë zërin. Kërcënimi besoj se ka lidhje me kërkesat e mia për respektimin e pronave në Himarë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: