TIRANE

Gjatë mbledhjes së ditës së sotme Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP)  shqyrtoi kërkesën e opozitës për shkarkimin e kryeprokurores Arta Marku. Anëtarët e KLP janë shprehur se kërkesa e opozitës është jashtë kompetencave të tyre dhe se ka natyrë administrative.

“Kërkesa e opozitës për shkarkimin e kryeprokurores është jashtë kompetencave tona sepse ka natyrë administrative”- kanë thënë anëtarët e KLP.

Pas përfundimit të mbledhjes, në një deklaratë për mediat kryetari i KLP, Gent Ibrahimi nuk dha komente për institucionin kompetent që duhet të shqyrtojë kërkesën e opozitës, ndërkohë që deklaroi se përgjigja është dhënë në shkresën e cila bëhet publike nesër.

Kreu i grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili kërkoi shkarkim dhe ndjekjen penale të Markut pasi, sipas tij, kryeprokurorja përcolli kandidaturën e Bujar Sheshit si kandidaturë që plotëson kriteret për të qenë pjesë e KLP-së, pa pritur përgjigjen e verifikimit mbi integritetin e figurës së tij.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: