Kryeprokurori Olsian Çela do të raportojë sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Siç shihet nga pamjet e siguruara për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, shihet Çela teksa shkon në KLP.

Çela do të raportojë për punën e prokurorisë përgjatë vitit 2023. Kujtojmë se ditë më parë në KLP për të raportuar ishte kreu i SPAK-ut, Altin Dumani.

“Viti 2023 ishte një vit sfidues për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe vijimit të uljes së numrit të prokurorëve si pasojë e pezullimit apo shkarkimit gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet pavarësisht ngarkesës, dhe bashkëpunimi institucional dhe ndërinstitucional, dhanë rezultate në punën hetimore dhe zbatimin e rekomandimeve drejtuar prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, siç do të paraqitet në vijim.

Përgjatë vitit 2023 vlerësoj se janë arritur rezultate në një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, kjo në sajë edhe të masave administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre. Kujdes i veçantë i është kushtuar vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me institucione e agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit ndërinstitucional”, u shpreh ai.

Ai foli edhe në lidhje me strukturat dhe burimet njerëzore.

“Në vitit 2023 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 198 (përfshirë dhe emërimet në korrik të 26 magjistratëve të rinj). Ky tregues evidenton strukturën faktike me 62 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 38 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: – 177  prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 101 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (64 % e strukturës organike); 10 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 16 prokuror më pak krahasur me numrin organik (38 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 6 prokurorë më pak se numri organik (65 % e strukturës organike)”, u shpreh Çela.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb