Akademiku Artan Fuga ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me protestat studentore, duke shprehur mbështetjen e tij për të rinjtë dhe duke kundërshtuar dhunën ndaj tyre.

Fuga thekson se studentët nuk duhen paragjykuar apo etiketuar si të dhunshëm pa prova, ndërsa nënvizon se ata kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë përmirësimin e kushteve të tyre ekonomike, sociale dhe akademike.

Ai shprehet se, gjatë viteve të punës me studentët, ka vërejtur më shumë shqetësim për vështirësitë e jetës dhe pasigurinë për të ardhmen sesa prirje për dhunë. Për këtë arsye, Fuga kundërshton përgjithësimin e akteve të mundshme të individëve të veçantë për të gjithë studentët.

Reagimi:

Studentët kanë gjithmonë të drejtë!

Nuk dhunojnë njeri, mos bëjë ndokush krimin kombëtar t’i dhunojë!

Unë jam i sigurt se studentët e mi nuk janë të dhunshëm!

Nuk kanë prirje psikologjike të dhunshme.

Jam i sigurt se për më tepër, në vite, kam vërejtur me trishtim se më tepër një pjesë e madhe e tyre kanë shfaqur prirje për të vuajtur në heshtje për vështirësitë e jetës dhe ankthin për të ardhmen, sesa të kenë kërkuar me insistim, me mobilizim studentor të drejtat e tyre, që o Zot, sa të gjera dhe të mëdha duhet të jenë!

Dhe këtë, sado kritik të jesh, e kanë bërë sepse kanë besuar, ndonjëherë me sinqeritet naiv, sepse kanë respekt, shpesh më të madh sa duhet, për vlerat bazë të shoqërisë.

Nuk iu intereson dhuna në shoqëri sepse ata janë të zotët për të çarë në një konkurrencë paqësore me të tjerët në karrierë.

Nuk kanë marrë dhe as përvetësuar kurrë mësime për dhunë nga unë dhe nga kolegët e mi.

Për ta mund të them se në vite më shumë kanë qenë të vuajtur, por kurrë, asnjëherë, të dhunshëm.

Ndaj e kam vështirë, madje të pamundur, madje e refuzoj çdo insinuatë, apo çdo formulë klishe në media, propagandë qeveritare, apo poshtërsi intelektuale nga çdokush që pretendon pa prova se studentët, të paktën ata me të cilët punoj unë dhe kolegët e mi, bëjnë dhunë në qytet, thyejnë, vënë zjarre, kërcënojnë, apo çdo etiketë e këtij lloji që iu ngjisin si pa të keq, apo dhunojnë me gurë policë !

Thënë këtë, ndonjë individ i veçantë i mpleksur rastësisht në ndonjë ngjarje të dhunshme, çka nuk e di ende, çka nuk ka asnjë informacion, dhe kjo është e rëndë për institucionet përkatëse, nuk përfaqëson studentët, për t’i bërë pis ata.

Studentët nuk duan vetëm të ardhme, por ata janë e ardhmja e vendit, shtresa më e kulturuar e tij, në pjesën dërmuese vajza, ata janë shpresa e emancipimit të shoqërisë shqiptare!

Prandaj, jam i sigurt se cdo dhunim i studentëve të mi, apo ndalim i tyre pa prova, çdo trajtim jo në bazë të ligjit të çdo studenti, pa dyshim është jo vetëm i tejskajshëm, i pavlefshëm dhe shumë i dëmshëm nga ana shoqërore, më cënon drejtpërdrejt mua dhe kolegët e mi, si edhe dëmton rëndë palcën e ADN së kulturës shqiptare, i hap kombit plagë të rënda në dekada, e bën kujtesën e tij kolektive edhe më të dhëmbur sesa është nga dramat dhe traumat që maskarenjtë, kolaboracionistët, tradhtarët e kombit, diktatorët, të çmendurit dhe budallenjtë me pushtet, tregtarët e interesave kombëtare shkëmbyer me pushtet të pamerituar, i kanë shkaktuar gjatë historisë.

Studentët kanë nevojë të dëgjohen! Ka dhjetëra mënyra paqësore, të respektueshme, për t’u vënë veshin kërkesave të tyre sociale, ekonomike, pedagogjike madje edhe politike.

Nga qeverisja, nga politika në përgjithësi, nga vetë stafet universitare, sepse ata kanë të drejtë të jenë mosbesues, besimi i tyre është abuzuar, të kërkojnë, sepse kërkesat e tyre janë hedhur në kosh me premtime politike boshe, kanë të drejtë të aspirojnë për diploma cilësore, sepse diplomat dhe arritjet e tyre i kanë përbuzur duke sunduar në shoqëri mekanizma false dhe cinike promovimi social.

Politika deri tani i ka gënjyer, asgjë nuk ka bërë nga premtimet e disa viteve më parë, arbitrariteti i qeverisjes shkon deri aty sa ende nuk ka një statistikë të papunësisë intelektuale, ende nuk vepron meritokracia për të promovuar në vende pune më të mirët, ende nuk ka një parashikim nga qeverisjet për profesionet intelektuale për dhjetë vjetët e ardhshëm në vend, shoqëria jonë është zhveshur nga teknologjia, kultura, novacioni shkencor që të mund të integrojë të diplomuarit, ende në shoqëri sundon klani, miqësia, paraja për të zënë një vend pune, ende gjithçka për universitetet është e centralizuar në duart e politikës, arritur deri në skandalin derisa iu kërkohet të pranojnë që studentët e Tiranës t’i kenë konviktet në Durrës!!! Nuk është thelbi, po absurditeti politik imagjinoni se ku ka arritur, deri ku abuzohet me shpirtin e vuajtur studentor, deri ku shkelen politikisht dhe nga administrata dhe qeverisja të drejtat e tyre!

Unë përsëris atë që vazhdoj të them publikisht gjatë viteve: Studentët kanë gjithmonë të drejtë! Kush dëshiron t’ja shpjegoj këtë, jam gati!

Studentët si shtresë shoqërore nuk dhunojnë njeri, ndaj mos i bëni pis, ndaj larg duart nga sytë, nga trupi, nga shpina, nga kyçet e duarve të studentëve!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb