TIRANË- Akuzave të At Nikolla Markut se Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale, të
Shqipërisë, Anastas Janullatos duhet të hetohet se shkeli sovranitetin e vendit, i përgjigjet zëdhënësi i këtij të fundit, Thoma Dhima. Sipas Dhimës, jo vetëm Kisha Ortodokse por gjithë komuniteti po diskriminohet me hapësirën që i jepet At Nikolla Markut, i cili sipas Dhimës është një mashtrues

Statusi i plotë i Thoma Dhimës:
Thonë se Komuniteti Ortodoks nuk diskriminohet…
Por kur mediat i japin vazhdimisht hapësirë një mashtruesi, ëe
përdhos çdo ditë shërbesat dhe çdo gjë të shenjtë, ku përmbarimi dhe
organet shtetërore hapur nuk pranoi të zbatojnë vendimet ligjore
për lirimin e kishës dhe objektit të grabitur nga ky mashtrues ordiner
(po me ndihmen e tyre…), kur nuk e çojnë perpara ligjit për përvetësimin e parave të
besimtarëve dhe dhënien abuzive me qira të objektit të KOASH, kur nuk zbatohen as ligjet e shtetit dhe injorohet në çdo pikë Marrëveshja Kishë ­Shtet (që edhe ajo është Ligj i shtetit), kur dikush lejohet të shpifë dhe të thotë publikisht mostruozitete të pështira ndaj personave të tjerë dhe madje ndaj një Komunitetit të tërë fetar, kjo quhet dashamirësi apo diskriminim???
THOMAI

KËRKESA PËR HETIM
Këshilli i kishës “Shën Maria” në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit dhe Komiteti për Mbrojtjen e Pavarësisë së Kishës Ortodokse të Pavarur Kombëtare Shqiptare, nëpërmjet At Nikolla Markut dje kanë kërkuar që të procedohet penalisht kryepeshkopi Anastas Janullatos. Përfaqësues të kishës në fjalë u janë drejtuar Presidentit të Republikës, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, kryeprokurorit, deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës, kryetarit të Komisionit të Sigurisë si dhe trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, me një kallëzim publik për hetim dhe gjykim të shtetasit grek Janullatos. Gjatë një deklarate për mediat, At Nikolla Marku bëri me dije se nga kisha “Shën Maria” në Elbasan, organeve ligjzbatuese u është kërkuar për të disatën herë që të zhvillohet një hetim i gjithanshëm për vepra penale të parashikuara në legjislacionin shqiptar. Gjithashtu, At Nikolla Marku kërkoi që të hetohet veprimtaria e Janullatosit për shkelje të sovranitetit territorial të Shqipërisë; shkelje të traditës historike kishtare; për ndërhyrje dhe deformim të historisë së vërtetë të Shqipërisë në dobi të shovinizmit politiko-fetar të Vorio-Epirit etj. At Nikolla Marku gjatë kësaj deklarate denoncuese ka renditur disa nga akuzat e kishës “Shën Maria” kundër Anastas Janullatosit, të cilat (sipas tij) duhet të jenë objekt i një hetimi dhe gjykimi penal. (Gazeta Shqiptare)
AKUZAT NDAJ JANULLATOSIT
Sipas At Nikolla Markut, kryepeshkopi Anastas Janullatos duhet të hetohet e gjykohet për:
1- Ndryshimet në statutin e Kishës Ortodokse pa bazë ligjore dhe teologjike.
2- Shkelje të statutit kishtar në favor të shovinizmit grek, duke bërë një propagandë të fshehur dhe të hapur për Vorio-Epirin.
3- Liturgjia meshtare në gjuhën greke.
4- Ndërtimi i Sinodit të Shenjtë jashtë statutit të vërtetë të Kishës Ortodokse Shqiptare (të përzgjedhur greke).
5- Ndërtimet dhe restaurimet e kishave në stilin grek.
6- Bashkëpunimi i ngushtë me qeveri të ashtuquajtura Vorio-Epir.
7- Bashkëpunimi i ngushtë me parti ultra naziste si Agim i Artë.
8- Qarkullim financash dhe pastrim parash për biznese dhe kinse ndërtim kishash (financime të dyshimta).
9- Mungesë transparence për origjinën e financimeve të institucionit kishtar.
10- Përfshirja drejtpërsëdrejti në glorifikim të viktimave të ushtrisë greke gjatë Luftës Italo-Greke (ushtri pushtuese që kaloi territorin e Shqipërisë deri në kufirin imagjinar Vorio-Epir, ish-pashallëku i Ali Pashë Tepelenës).
11- Shkelje e sovranitetit territorial dhe manipulime e deformime të traditës historike shqiptare në lidhje me Kishën Ortodokse Shqiptare.
12- Lobing kundër imazhit të vërtetë të Republikës së Shqipërisë e historisë kombëtare dhe fetare në bashkëpunim me partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Shoqatën OMONIA si dhe lobin greko-amerikan me në krye Nikolla Gejxh.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: