Kampionati i Emirateve të Bashkuara Arabe është një destinacion i mirë për të gjithë ata që dëshirojnë të mbyllin karrierën, pasi shuma e parave që mund të fitosh në këtë ligë, është me të vërtetë e madhe.

Lojtarëve si Pogba apo Raxha Naingolan nuk do t’ua këshillonim këtë zjedhje pasi zyrtarë të këtij kampionati kanë një kërkesë të veçantë. “Futbollistët që duan të luajnë në kontinentin aziatik do t’ju duhet të heqin dorë nga pamja e tyre ekstravagante, me flokë të lyer apo modele të çuditshme”.

Kështu po ndodh këto ditë me Gian Asamoah, sulmuesin e Al-Alhi. Sipas BBC, sulmuesi ganez, i cili është dhënë huazim nga Shangai SIPG, është akuzuar nga Federata e Futbollit të Emirateve se ka një model flokësh “jo etik”.

Të njëjtin fat kanë pësuar edhe 45 futbollistë të tjerë të kampionatit, të cilëve u është dërguar një letër zyrtare duke u kërkuar që të përputhen me rregulloret etike, pasi prerja e flokëve të tyre nuk përfaqëson vlerat e Islamit.

Tashmë mbetet të shihet si do të reagojë futbollisti ndaj kësaj kërkese të veçantë. Por nëse dëshiron të vazhdojë të fitojë milionat e dollarëve që sigurohen në këtë kampionat, duhet të fillojë të mendojë si t’i bëjë flokët sa më parë si Çavi Hernandez i cili jo vetëm që nuk e shqetëson kush për çështje të tilla, por se fundmi edhe ka rinovuar kontratën e tij me Al Sad në Katar.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb