Këshilli i Ministrave ka zhvilluar këtë të mërkurë mbledhjen e radhës, ku edhe janë bërë me dije edhe disa nga vendimet e miratuara, gjatë kësaj mbledhjeje.
Këshilli i Ministrave, njofton miratimin e planit kombëtar për integrimin Europian 2022-2024. Në bazë të këtij vendimi, Ministria e Punëve të Jashtme ngarkohet të bashkërendojë dhe monitorojë zbatimin e PIKE-së 2022-2024.
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EVROPIAN 2022–2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2022–2024 (PKIE 2022–2024), sipas tekstit dhe anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të bashkërendojë dhe të monitorojë zbatimin e PKIE-së 2022–2024 me institucionet përgjegjëse për kryesimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian (GNPIE), për çdo kapitull.
- Institucionet përgjegjëse për kryesimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian raportojnë çdo javë pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2022–2024.
- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të raportojë, çdo 3 (tre) muaj, në Këshillin e Ministrave dhe te Kryenegociatori për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2022–2024.
- Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të monitorojë përfshirjen, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, në programin buxhetor afatmesëm, të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme të parashikuara në PKIE 2022–2024.
- Legjislacioni i BE-së, për masat afatmesme të planifikuara në PKIE 2022–2024, t’i nënshtrohet procedurës së përkthimit dhe miratimit të materialeve të përkthyera, sipas parashikimeve të akteve nënligjore përkatëse.
- Vendimi nr.90, datë 17.2.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2021–2023”, shfuqizohet.
- Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave, në përbërje të grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian, për të cilat në PKIE-në 2022–2024 janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA.