Presidenti Ilir Meta reagon pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u zvillua online për më shumë se katër orë, ku merrnin pjesë si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, me në fokus situatën e krijuar nga koronavirusi.

Në një mesazh në “Facebook”, Meta zbardh çështjet kryesore që janë diskutuar, si “vlerësimi mbi situatën aktuale, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal”.

Mesazhi i Metës:

Të dashur qytetarë,

Nëpërmjet një video-konference zhvilluam sot mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurisë Kombëtare lidhur me situatën që po kalon vendi nga përhapja e pandemisë globale COVID-19.
Çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.

Mbledhja u zhvillua në një frymë bashkëpunimi, dhe për këtë dua të falenderoj Kryetarin e Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, Kryeministrin z.Edi Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike z.Lulzim Basha.

Vlerësova rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor.

Falenderoj qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e dëshmuar, që duhet të vijojë, në interes të përbashkët.

Sa më efikas të jetë ky bashkëpunim, aq më shpejt do t’i rikthehemi normalitetit dhe jetës plot gjallëri.

SË BASHKU DO T’IA DALIM! ??

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb