TIRANË

Deputetja e LSI-së Erisa Xhixho, nismëtare e projektligjit për krijimin e regjistrit për të dënuarit për krime seksuale ka shpjeguar në News24 se çfarë parashikon ky draft, i cili sot ka kaluar në komisionin e ligjeve me votat e të gjithë deputetëve, si të maxhorancës, ashtu dhe të opozitës.

Xhixho tha se një person që është dënuar me vendim të formës së prerë për krime seksuale do të ndalohet të punësohet në institucione si shkolla, kopshte etj.

“Presim që të enjten të miratohet në parlament. Qëllimi ka qenë që ne të kemi, për herë të parë në Shqipëri një regjistër të të gjithë personave që janë dënuar me vendim të formës së prerë për krime seksuale. E mbani mend rastin e mësuesit në Berat, apo drejtori në Lushnjë. Këta persona kanë vënë në rrezik fëmijët tanë, gratë dhe vajzat. Ky databaze do të përmbajë të dhënat e këtyre personave dhe nga ana tjetër pengon punësimin e tyre. Deri më sot nuk kemi pasur pengesa. Një person që është dënuar me vendim të formës së prerë për krime seksuale do të ndalohet të punësohet në institucione si shkolla, kopshte etj. Kjo është një masë parandaluese sepse fryma e ligjit është parandaluese”, tha deputetja e LSI, raporton “BalkanWeb”.

Ajo shpjegoi më tej se ky regjistër do të jetë publik, por aksesi i identifikuar.

“Moment tjetër është aksesi, është rëndë dakord që aksesi të jetë i identifikuar, një person që e kërkon informacionin të identifikohet, por të jetë publik. Ky ka qenë dhe një rekomandim i komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale. Është një hap i jashtëzakonshëm për vendin dhe për një mekanizëm shtesë. Roli i policisë së Shtetit do të jetë shumë i rëndësishëm. Do të jetë sfidë policimi në komunitet. Ne si komision, por edhe unë si deputete, nismëtare këtij ligji, do të jemi në monitorim. Do duhet ta monitorojmë, do ketë një raportim vjetor për implementimin e ligjit.

Apeli është që këta mostra ta dinë që nga sot e tutje ka një regjistër, do ketë një monitorim dhe nuk mund të punësohen kurrë më në institucionet e arsimit publik dhe privat”, u shpreh Xhixho.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb