TIRANE- Këshilli i Europës ka publikuar sot raportin për Shqipërinë për racizmin. Sipas raportit të KiE, në Shqipëri janë shënuar zhvillime pozitive, por ka edhe shqetësime për të folurin në publik.

Duke u ndalur tek procesi i integrimit të komunitetit romë, në raportin e Këshillit të Europës vlerësohet se në këtë drejtim po ecet me ritme të ulëta.

Sipas KiE, politikat në Shqipëri transmetojnë gjuhë urrejtje, ndërsa përcillet mesazhi se duhet vullnet për kapërcimin e kësaj situate.

VLERESIMI SIPAS RAPORTIT TE KIE
Shqipëria pavarësisht zhvillimeve pozitive ka ende shqetësime lidhur me të folurin intolerant në publik dhe integrimin e ulët të romëve, sipas komisionit të Këshillit të Evropës për antiracizmin.

Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) botoi sot një raport të ri për Shqipërinë, i cili analizon zhvillimet e fundit dhe çështjet pezull dhe jep rekomandime për autoritetet.

“Nuk ka problem lidhur me të kuptuarin real ndërmjet grupeve të ndryshme të popullsisë shqiptare, por ka ende shqetësime, të tilla si gjuha e urrejtjes nga politikanët, mungesa e qëndrueshmërisë dhe rezultatet e dobta të programeve të integrimit për romët”, tha Kryetari i ECRI-t, Christian Ahlund.

Në aspektin pozitiv, raporti nënvizon amendimin e Kodit Penal për t’u dhënë më shumë mbrojtje personave të komunitetit LGBT; Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen kundër Diskriminimit kanë bërë përpjekje për të luftuar gjuhën e urrejtjes në publik, ndërsa qeveria ka miratuar një kod etike ku përfshihen dispozita për mosdiskriminim. Lidhur me romët është bërë progres domethënës për regjistrimin civil të tyre dhe është ulur niveli i braktisjes së shkollave.

Nga ana tjetër, aksesi në drejtësi për viktimat e diskriminimit mbetet i vështirë dhe nuk ekzistojnë të dhëna të besueshme për krimin e urrejtjes. Nuk ka të dhëna gjithëpërfshirëse për vlerësimin e programeve të integrimit për romët; rezultatet akademike të shumë romëve dhe egjiptianëve mbeten të këqija dhe kanë ndikim negativ mbi mundësinë për të hyrë në tregun e punës; dhe rreziku i dëbimit pa strehim alternativ përbën një tjetër problem për këto komunitete. Për më tepër, pavarësisht disa propozimeve legjislative nuk ka ende rregullim ligjor të aspekteve të rëndësishme të jetës private për personat LGBT, si për shembull partneritetet e regjistruara.

Në këtë raport ECRI ka bërë disa rekomandime për autoritetet shqiptare. Dy rekomandimet e mëposhtëme kërkojnë zbatim të menjëhershëm dhe do të analizohen nga ECRI brenda dy vitesh:

* sigurimi i aksesit efektiv në drejtësi për viktimat e diskriminimit nëpërmjet një sistemi të ndihmës ligjore që është funksional dhe i financuar siç duhet;

* sigurimi që dëbimi i romëve si dhe i personave të tjerë nuk realizohet pa mundësinë e një akomodimi të denjë alternativ.

Raporti, i cili përfshin dhe konstatimet e qeverisë, është i disponueshëm. Ai është hartuar pas vizitës së ECRI-t në Shqipëri në shtator të 2014-ës dhe merr parasysh zhvillimet deri në vitin 2014.

ECRI është organ për të drejtat e njeriut i Këshillit të Evropës, i përbërë nga anëtarë të pavarur, dhe që monitoron çështjet e racizmit, ksenofobisë, antisemitizmit, intolerancës dhe diskriminimit për shkaqe të tilla si “raca”, origjina kombëtare/etnike, ngjyra, shtetësia, gjuha (diskriminimi racial); ai përgatit raporte dhe u jep rekomandime shteteve anëtare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb