Andrea Kimi Antonelli është kampioni i ri i botës në Formula 1! Piloti italian i Mercedesit ka hyrë në histori, duke u bërë kampioni më i ri i botës në historinë e këtij sporti dhe duke thyer rekordin e mëparshëm të Sebastian Vettel, i cili e mbante këtë arritje që prej vitit 2010.

Vetëm 20 vjeç, Antonelli siguroi titullin kampion pas përfundimit në vendin e tretë në Çmimin e Madh të Meksikës, në një garë të fituar nga Max Verstappen, ndërsa në shkallën e dytë të podiumit u ngjit Lewis Hamilton. Me pesë gara ende të mbetura nga sezoni, italiani arriti të vulosë një triumf historik, duke lënë pas në renditjen e kampionatit rivalët e tij.

Antonelli zhvilloi një garë të matur dhe inteligjente, duke menaxhuar me kujdes strategjinë dhe ndalesën në bokse. Ndërkohë, Lando Norris, rivali që nuk arriti ta ndalonte, e mbylli garën në vendin e pestë, duke i dorëzuar kështu fronin e kampionit pilotit të Mercedesit.

Pas kalimit të vijës së finishit, emocionet shpërthyen. Lotët brenda kaskës dhe përqafimet me familjarët dhe anëtarët e ekipit shoqëruan një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, por edhe të historisë së sportit italian.

“Ja dolëm! Pa Mercedesin dhe familjen time nuk do të isha këtu. Është një moment që do të jetojë përgjithmonë. Nuk kam fjalë për ta përshkruar atë që po përjetoj. Tani duam të vazhdojmë të fitojmë dhe ta çojmë Italinë sa më lart”, u shpreh kampioni i ri i botës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: