Kina njoftoi sot 57 raste të reja të konfirmuara me COVID-19, shifra më e lartë ditore që prej muajit prill, duke rritur frikën për një valë të dytë epidemike në vend.
Në sajë të kontrolleve strikte, mbajtjes së maskave dhe operacioneve të kufizimit, epidemia u vu nën kontroll në Kinë, ku u shfaq koronavirusi i ri, vitin e kaluar në Wuhan.
Por, një vatër e re kontaminimi u zbulua në jug të Pekinit në tregun e Xinfadit, që shet në mënyrë të veçantë mish, peshk dhe perime. Një zbulim që ka çuar në kufizimin e 11 zonave residenciale përreth.
Ministria kineze e Shëndetësisë theksoi se nga 57 raste të reja, 36 prej tyre ishin infektime lokale të regjistruara në kryeqytetin kinez.
Dy raste të tjera lokale janë njoftuar në provincën e Liaoning. Zyrtarët lokalë deklaruan se këta persona kishin qenë në kontakt me pacientë të tjerë të regjistruar në kryeqytet.
