Një gazetare e njohur australiane, e lindur në Kinë, është arrestuar zyrtarisht atje pas gjashtë muajsh paraburgimi, konfirmoi  ministrja e Jashtme e Australisë, Marise Payne.

Cheng Lei, e cila punonte për CGTN, u arrestua në gusht me dyshimin e rrezikimit të sigurisë kombëtare.

“Ajo u arrestua zyrtarisht nën dyshimin për furnizim të paligjshëm të sekreteve shtetërore jashtë shtetit”, tha Payne në një deklaratë.

“Kanberra ka ngritur rregullisht shqetësime në lidhje me ndalimin e Cheng, duke përfshirë edhe kushtet e saj të paraburgimit”, tha Payne.

Rasti i Cheng është një nga një seri incidentesh që përfshijnë gazetarë të huaj në Kinë gjatë vitit të fundit.

Dy korrespondentë australianë ikën nga Kina në shtator pasi u thanë se ishin përfshirë në çështjen Cheng dhe u lejuan të largoheshin nga vendi vetëm pasi ranë dakord për marrjen në pyetje nga zyrtarët e sigurimit të shtetit kinez.

Në fillim të vitit, të gjithë gazetarët amerikanë që punonin për “New York Times”, “Washington Post” dhe “Wall Street Journal” në Kinë u dëbuan, si pjesë e masave hakmarrëse të marra kundër reduktimit nga ana e Uashingtonit të numrit të gazetarëve kinezë në SHBA.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb