Japonia nuk ka plane të anëtarësohet në NATO dhe vendimi për hapjen e një zyre përfaqësuese të Aleancës së Atlantikut të Veriut në vend nuk është marrë ende, tha kryeministri Fumio Kishida teksa iu përgjigj pyetjeve të deputetëve gjatë seancës plenare të dhomës së lartë të parlamentit.

“Japonia nuk ka plane për t’u bashkuar me NATO-n as si një anëtare e përhershme apo e asociuar,” tha ai. Duke u ndalur tek mundësia e hapjes së një zyre përfaqësuese të aleancës në Japoni, kreu i qeverisë vuri në dukje se kjo temë është duke u diskutuar, por “deri tani nuk është marrë asnjë vendim”.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me vendet anëtare të NATO-s dhe aleatët e tyre në funksion të sfidave të vështira me të cilat po përballet tani rendi ndërkombëtar botëror.

Më herët, mediat lokale raportuan se aleanca synon të hapë një zyrë përfaqësuese në Tokio vitin e ardhshëm. U vu në dukje se do të shërbente si një zyrë ndërlidhëse përmes së cilës vendet e NATO-s dhe Japonia do të mund të konsultoheshin për çështje të ndryshme. Pritet që aleatët e tjerë të aleancës në rajon, veçanërisht Australia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut, të jenë në gjendje të marrin pjesë në diskutime të tilla. Një vendim i tillë mund të miratohet para samitit të ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet më 11-12 qershor në Lituani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb