Policia e Lushnjës ka zbuluar një ‘laborator’ droge në këtë qytet, ndërsa ka vënë në pranga 3 persona.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se në kuadër të operacionit të koduar “Laboratori” u arrestuan shtetasit; Fiqiri Dedej, 53 vjeç, banues në Dushk, Kreshnik Ibraliu, 30 vjeç, Klevis Likja, 38 vjeç, të dy këta të fundit banues në Lushnjë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur katin e parë dhe katin e tretë të banesës së Fiqiri Dedej, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit të banesës u gjetën 170 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në këtë banesë është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike, kapikorta (pajisje me të cilat ishte bërë lidhja e paligjshme e energjisë elektrike).

Gjatë operacionit, në banesën e Dedejt është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë gjahu pa leje. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb