Gazetarja Klodiana Lala zbardh detaje të reja nga aksioni i policisë pranë “Shkollës së Bashkuar” dhe incidenti që ndodhi me gazetarin e “News24″, Ergys Gjençaj, i cili u mbajt për një orë i shoqëruar nga uniformat blu, pasi po filmonte operacionin.

Gazetarja Lala tregoi në rubrikën “Opinion”, në News24, gjithë ngjarjen, ku tha se është takuar me gazetarin Gjençaj në makinën me logon e televizionit, për të ardhur në zyrë, por rrugës ka parë forca të shumta policie. Gazetarja Lala tha se i ka kërkuar vetë Gjeçajt të filmojë aksionin e policisë, pasi vetë ishte ulur para në makinë dhe e pengonte shoferi.

Më tej, gazetarja u shpreh se ata dolën nga makina për të parë më mirë se çfarë po ndodhte, duke shtuar se kishte kontaktuar edhe zyrtarë të lartë policie, raporton “BalkanWeb”.

“Unë ndodhesha te SPAK, sapo kisha raportuar vendimin e GJKKO për Fatmir Mediun. Në moment që kemi përfunduar jam telefonuar nga Egysi dhe duhet të vija me të njëjtin automjet për në punë. Unë isha ulur në vendin e parë të makinës, ku pashë forca policie. Ishte një numër shumë i konsiderueshëm policësh. E kisha të pamundur të filmoja, pasi kisha shoferin në krahun e majtë dhe i them Gysit të filmojë. Kur u afruam, pamë disa civilë, që thërrisnin me zë dhe i kërkonin drejtuesit të mjetit të hapte derën, ata po insistonin. Këtu ka filmuar Ergysi. Ai nuk e hapte derën, kishte ulur siguresën, kishte një debat shumë të fortë. Dolëm të shqetësuar, pasi pamë se jeta e qytetarëve po rrezikohej. Sapo dolëm, policët u sulën drejt nesh. Ergysi ishte duke filmuar, ndërsa unë telefonova një zyrtar policie dhe e pyeta se çfarë po ndodhte. Më tha që po bënin një operacion antidrogë, por nuk mund të jepte detaje. Në atë moment, policia mori gazetarin. Iu drejtova policit, që ishte i maskuar, dhe i thashë që jemi gazetarë dhe nuk po cënojmë punën e tyre, pasi po bëjmë punën edhe ne. Kam komunikuar në këto momente me zyrtarë të lartë të policisë, që më konfirmuan se po merreshin me procedurat për gazetarin. Ajo që më shqetësoi ishte se po e mbanin shumë Ergysin”, tha gazetarja Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb