TIRANË-Në kuadër të diskutimeve bilaterale, në fushën e mbrojtjes me SHBA-të, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli priti në një takim, Michael Carpenter, zëvendës asistent i Sekretarit të Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, bëhet e ditur në një deklaratë për mediat nga Ministria e Mbrojtjes.

Në fokus të takimit ishte situata ndërkombëtare e sigurisë dhe kontributi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Ministrja Kodheli, e njohu me vendimin e Shqipërisë për ngritjen e Qendrës së Ekselencës së NATO-s në vendin tonë, për të adresuar fenomenin e luftëtarëve të huaj, si dhe me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s.

“Ne po dyfishojmë kontributin tonë në Afganistan si dhe po përmbushim të gjitha detyrimet tona në angazhimet në kufijtë lindorë të Aleancës”, nënvizoi Kodheli. Për sa i përket zhvillimeve në rajon, ministrja Kodheli përsëriti dhe një herë mbështetjen maksimale që Shqipëria i jep çdo vendi që aspiron të anëtarësohet në Aleancë. “Fakti që Mali i Zi i bashkohet Aleancës rrit faktorët e paqes dhe sigurisë”, tha Kodheli. Kodheli theksoi se, ky vit është përvjetori i 25-të i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA-së, në këtë kontekst bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit të dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: