TIRANË- Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka falënderuar të gjitha forcat dhe institucionet që bashkëpunuan për nxjerrjen e plotë të trupit të helikopterit të rënë në Liqenin e Shkodrës, aksident që solli vdekjen e dy pilotëve të Forcës Ajrore të ushtrisë shqiptare.

“Falënderoj për përkushtimin dhe profesionalizmin 40 pjesëtarët e FA, polumbarët e RENEA-s dhe Forcës Detare, Policinë e Shtetit, ekspertët e Eurocopter dhe ata amerikanë, bashkëpunimi i të cilëve bëri të mundur nxjerrjen e trupit të helikopterit të rrëzuar në Liqenin e Shkodrës”, shkruan Kodheli në facebook.

Ajo konfirmon angazhimin për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti tragjik.

“Ministria e Mbrojtjes, unë personalisht dhe Prokuroria, të cilën gjithashtu gjej rastin ta falënderoj, mbetemi maksimalisht të angazhuar për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit”, deklaron më tej Kodheli.

Më herët Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura njoftoi për nxjerrjen e trupit të helikopterit si dhe kamerës regjistruese të tij, e cila i është dorëzuar prokurorisë për hetime.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: