TIRANË – “Zhvillimet serioze në Ukrainë si dhe kërcënimi i të ashtuquajturit Shtet Islamik përbëjnë një rrezik real për vetë rajonin dhe për vendin tonë,” ka deklaruar sot Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, duke prezantuar direktivën e Mbrojtjes për vitin 2015.

“Viti 2015 është më ambicioz, – u tha Kodheli, krerëve të FA-së, – për vetë sfidat që rrjedhin nga Samiti i Uellsit, i cili u zhvillua në kushtet e mjedisit të ri të sigurisë, rrethuar nga një hark destabilizimi dhe dhune që fillon në kufijtë e Evropës Lindore e Kaukazit dhe që vazhdon në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Konflikti në Ukrainë dhe ndërhyrja ushtarake e Rusisë nënkupton një ndryshim në balancat gjeopolitike në gjithë hapësirën Euro-Atlantike me pasoja për ligjin ndërkombëtar dhe rregullin botëror. Zhvillimet serioze në Ukrainë, si dhe kërcënimi i të ashtuquajturit shtet islamik (ISIL) përbën një rrezik real për vetë rajonin dhe për vendin tonë.

Të ndodhur para këtyre sfidave serioze ndaj sigurisë, Aleatët në Samitin e Uellsit demonstruan sensin e bashkimit dhe veprimit dhe miratuan vendime të rëndësishme për Aleancën, për të përmbushur tre detyrat thelbësore të saj, të përcaktuara në Konceptin Strategjik të vitit 2010.

Nisur nga ky realitet, – përfundoi ministrja, – në qendër të reformave të mbrojtjes për vitin 2015 të jenë krijimi i kapaciteteve operacionale për përballimin e sfidave të sigurisë dhe mbrojtjes, përmirësimi i infrastrukturës dhe modernizimit, zhvillimi i politikave të nevojshme në fushën e menaxhimit të personelit, transformimi i sistemit arsimor ushtarak, përmirësimi i trajtimit dhe strehimit të ushtarakëve, si dhe eliminimi i korrupsionit nëpërmjet rritjes së transparencës.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: