TIRANË

Këshilltari i ish-presidentit Ilir Meta ka folur sot në Konventën Kombëtare të LSI-së ku bëri thirrje për të vepruar tani. Tedi Blushi tha se vendi ynë tani është vetëm pranë popullit që mezi pret të marrë në dorë fatet e veta, që mezi pret t’i japë goditjen finale një kaste mafioze dhe një grupi horrash dhe tradhtare, që po shpopullojnë dhe po e falimentojnë Shqipërinë.

Ai theksoi se sot kemi nevojë më shumë se kurrë për një lidership të forte si Ilir Meta, që rikthehet në betejë për një Shqipëri me të drejtë, më njerëzore, më të dashur dhe më të dhembshur.

“Unë i përkas vetëm popullit të 2 Marsit, dhe sot vij përpara jush si një njeri i lirë, si një prej mijëra e mijëra shqiptarëve që dy vite më parë iu përgjigjën thirrjes së Presidentit të Republikës dhe dolën në shesh me një mision: Rikthimin e Sovranitetit dhe Referendumit.

Të dashur miq,
Ju sot po merrni një vendim historik.
Jo për veten tuaj, por për të ardhmen e fëmijëve tuaj dhe të Shqipërisë.
Kauza juaj më e madhe, ajo e Lirisë, do përshpejtojë edhe integrimin europian, që ka qenë prioriteti i juaj.

Populli i 2 Marsit është i etur për Lirinë dhe Referendumin.
Vendi ynë tani është vetëm pranë popullit që mezi pret të marrë në dorë fatet e veta, që mezi pret t’i japë goditjen finale një kaste mafioze dhe një grupi horrash dhe tradhtare, që po shpopullojnë dhe po e falimentojnë Shqipërinë, që kanë nxjerrë në pazar kufijtë e Shqipërisë dhe që po i ngulin thika pas shpine Kosovës.

Koha për të shporrur këtë të keqe është tani!
Liri, Demokraci!
Siç na la amanet poeti martir, Havzi Nela: O Liri, o vdekje!

Të dashur miq,
Askush më mirë se unë nuk e di se Presidenca, nën drejtimin e Ilir Metës, kanë qenë 2 mars çdo ditë. Ka qenë nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm te jem bashkëpunëtor i tij dhe i jam falënderues.

Ne këto pesë vite, Ilir Meta ka qenë i pari në çdo betejë për mbrojtjen e demokracisë, pluralizmit politik, dinjitetit njerëzor, shtetit ligjor, dhe mbi të gjitha mbrojtës i pakompromis i interesit kombëtar.

Sot kemi nevojë më shumë se kurrë për një lidership të forte si Ilir Meta, që rikthehet në betejë për një Shqipëri me të drejtë, më njerëzore, më të dashur dhe më të dhembshur.

Të dashur miq,
Fuqia e popullit të 2 marsit, qëndron te bashkimi rreth lirisë. Të bashkuar do t’ia dalim. Ndryshimi po vjen. Për një besëlidhje kuqezi, për sovranitetin dhe referendumin. Koha është tani! Boll duruam. Mjaft indiferencës! Liri, demokraci! O liri, o vdekje!
Të bashkuar Për Referendumin!”, deklaroi Blushi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb