Zbulohet identiteti i personit të arrestuar në Greqi, i dyshuar si kreu i një grupi kriminal që trafikonte kokainë të fshehur në ngarkesa me lule të ardhura nga Kolumbia.

Bëhet fjalë për 56-vjeçarin shqiptar Lulzim Caka, i njohur edhe me aliasin John Franko. Caka rezulton person i kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe, sipas të dhënave të bëra publike, është dënuar me 25 vite burg për disa vrasje.

Ai është bërë i njohur edhe për arratisjen e tij nga burgu në Shqipëri në vitin 2019, në rrethana që janë konsideruar të paligjshme.

Sipas informacioneve, Caka ka pasur probleme edhe me drejtësinë greke lidhur me kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij. Në vitin 2022, shteti grek ka refuzuar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Arrestimi i tij në Greqi është bërë në kuadër të një operacioni kundër një rrjeti të dyshuar për trafikimin e kokainës, e cila fshihej në ngarkesa me lule të importuara nga Kolumbia.

Hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi rolin që 56-vjeçari ka pasur në organizimin e rrjetit kriminal dhe lidhjet e tij me persona të tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb