NGA: Erl Murati

Për herë të parë në histori, Komiteti Ushtarak i NATO-s u mblodh fundjavën e kaluar në Tiranë. Shefat e shtabit të ushtrive të 29 vendeve anëtare diskutuan për sigurinë në rajon dhe zgjodhën si kryetar të ardhshëm të komitetit, që sot drejtohet nga një gjeneral çek, shefin e Flotës Ajrore britanike.

Ministrja e re e Mbrojtjes, Xhaçka dhe shefi i sapodekretuar i Ushtrisë, Kollçaku patën rast ta nisin detyrën me një “stërvitje” të nivelit të lartë. Bashkë me Komitetin Ushtarak, në Tiranë ishte Komandanti Suprem i NATO-s, Curtis M. Scaparroti.

Komandanti ushtarak i NATO-s është historikisht një gjeneral i Ushtrisë ose i Flotës Ajrore Amerikane. Ky post është mbajtur për herë të parë nga Ajzenhauer, më vonë nga një person i dashur për shqiptarët, Uesli Klark dhe sot, nga gjenerali me 4 yje, Scaparroti.

Ai është njeriu përgjegjës për operacionet ushtarake të Aleancës dhe njëkohësisht mban detyrën e komandantit të ushtrisë amerikane në Europë. Curtis Scaparroti ju përgjigj pyetjeve të “Gazeta Shqiptare”.

Ai identifikoi 3 kërcënime kryesore për Shqipërinë dhe rajonin: Rritjen e influencës së jashtme, ekstremizmin dhe kthimin e luftëtarëve të huaj.

Gjeneral, Komiteti Ushtarak i NATOS-s u mblodh për herë të parë në Tiranë. Cilat ishin qëllimet, çfarë u arrit nga kjo konferencë dhe çfarë kontributi i sjellin takime të tilla sigurisë së përbashkët?

Ne u mblodhëm në Tiranë për të bërë një pasqyrim të situatës së përgjithshme, për të ndarë me njëri-tjetrin pikëpamjet dhe informacionet tona në çdo fushë. Kësisoj, ne mund t’u japim udhëzime apo informacion të saktë ushtarak shteteve anëtare, por edhe sekretarit të Përgjithshëm dhe Komitetit ushtarak të NATO-s.

Ky ishte rezultati i takimit. Ne folëm për shumë çështje, p.sh për misionin “Resolute Support” në Afganistan apo misionin e KFOR-it në Kosovë.

Trajtuam projektimin e stabilitetit, si mund të krijojmë një mjedis të tillë dhe çfarë udhëzimesh mendojmë se na duhen ne, si drejtues ushtarakë, në mënyrë që ta zbatojmë këtë projekt stabiliteti.

Ne diskutuam për komandën drejtuese të NATO-s, çfarë ndryshimesh duhen bërë aty. Të gjitha këto çështje janë shumë të rëndësishme dhe patëm shkëmbime mendimesh dhe bisedime mjaft, mjaft të mira. Kështu, kjo ishte një mundësi përfitimi për të gjithë.

E fundit, që mund të them, sa herë që shefat e shtabeve të 29 vendeve mblidhen së bashku me komandantët, kemi të bëjmë me një shans të vërtetë. Sepse aty ka ekspertizë të kualifikuar dhe mundësia për t’i folur njëri-tjetrit sy më sy sjell gjithmonë përfitim për të gjithë. Është shumë më mirë se komunikimi me telefon ose të tjera si kjo.

Intervisten e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2017/09/19/ekskluzive-komandanti-suprem-i-nato-s-cilat-jane-tri-rreziqet-per-shqiperine-dhe-ballkanin-e-brishte/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb