Disa nga futbollistët e ekipit Kombëtar të Kosovës iu bashkuan nismës së mbjelljes së pemëve në Tiranë. Lojtarët Amir Rrahmani, Herolind Shala, Fidan Haliti dhe Zv. Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Bakir Burri, së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj, zgjodhën kopshtin “Nexhmije Pagarusha” në Liqenin Artificial të Tiranës, i cili e ka marrë këtë emër në nder të mbretëreshës së muzikës shqiptare.

“Është një bekim shumë i madh sot! Jam me vëllezërit e ekipit të Kosovës, në një cep të parkut të Tiranës, që i është dedikuar të madhes Nexhmije Pagarusha. Ajo, edhe në ditët e fundit të jetës, – si dikush që është nderuar, është respektuar, është vlerësuar në Tiranë, – e kishte lënë amanet ta vazhdonim mbjelljen e pemëve. Fatkeqësisht, nuk arriti ta mposhtte atë sëmundje dhe të ishte vetë këtu, por bashke me Sabri Fejzullahun dhe të gjithë këngëtarët e Kosovës, projektuam dhe mbollëm këtë kopësht brenda parkut, të cilin e emërtuam ‘Nexhmije Pagarusha’”, kujtoi Veliaj.

“Jemi shumë të lumtur që po ndihmojmë për t’ia arritur qëllimit që la si amanet diva shqiptare e muzikës, Pagarusha, për të mbjellë një pemë në Tiranë. Jam shumë i surprizuar nga kryetari i Bashkisë, që e ka çuar në fund amanetin, që ndoshta shumë pak shqiptarë mund ta dinin. Është një gjest shumë i madh”, tha Amir Rrahmani.

Kryebashkiaku shtoit ha se tani që futbollistët lanë shenjën e tyre në Tiranë, kanë edhe një arsye më tepër për ta vizituar atë.

“Shpresoj që secili prej lojtarëve, pavarësisht se ku shkon në jetë, e di që i ka një palë rrënjë në Tiranë, jo vetëm si metaforë, por edhe si një objekt fizik. Tani keni një arsye më shumë për të vizituar Tiranën dhe për të parë si është rritur pema që keni mbjellë vetë,” tha Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb