Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar ditën e sotme seancën e radhës stërvitore, në kuadër të dy ndeshjeve miqësore që ekipi do të zhvillojë në transfertë ndaj Uellsit me 5 qershor dhe Republikës Çeke me 8 qershor.

Grupi është kompletuar i gjithi ditën e sotme, teksa zyra e shtypit në FSHF bën me dije se mbrojtësi shkodran, Elseid Hysaj nuk do të jetë pjesë e skuadrës për këto dy ndeshje, për shkak të një problemi në gju.

Hysaj ka mbërritur sot në kompleksin “Tropikal” ku gjendet e grumbulluar skuadra dhe pas vizitave nga stafi mjekësor dhe konsultave me mjekun e skuadrës, Gianluca Stesina, u mor vendimi që lojtari të largohet nga grumbullimi dhe të vazhdojë kurimin.

Skuadra vazhdon të stërvitet intensivisht për këto dy sfida mjaft të vlefshme për kuqezinjtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb