TIRANË

Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, z. Olivér Várhelyi shpreson që hapja e negociatave të ndodhë para Samitit të Zagrebit që është në maj të këtij viti.
Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Edi Rama, komisioneri Varhelyi tha se raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë vazhdon të jetë i vlefshëm duke e vlerësuar vendin të gatshëm për hapjen e negociatave.

“Kjo është ndalesa e dytë në udhëtimin tim të parë jashtë shteteve anëtare të BE-së dhe për mua ka qenë përparësi të vija shumë herët në mandatin tim për të përforcuar mbështetjen për Shqipërinë dhe për të theksuar natyrën gjeopolitike të komisionit të ri. Siç e dini për ne zgjerimi dhe Ballkani Perëndimor janë prioritet. Dëshirojmë ta rrisim praninë këtu dhe të kemi shumë influencë. Duam të jemi një partner edhe më i rëndësishëm për rajonin. Për këtë do të punoj fort me ju kryeministër që kjo të bëhet e mundur. Për ne raporti i KE vazhdon të jetë i vlefshëm. Vazhdojmë ta vlerësojmë Shqipërinë si e gatshme për hapjen e negociatave. Duam ta bëjmë para samitit të Zagrebit. Ka një metodologji të re për trajtimin e negociatave për anëtarësimin në BE”, deklaroi komisioneri europian.

Sipas tij, fakti që nuk u hapën negociatat në tetor ka të bëjë me disa shqetësime nga shtetet anëtare. “Ne po punojmë me këto shtete që të gjejmë një zgjidhje që të krijojë një shans të ri për të ecur para me procesin e integrimit.
Katër parime bazë janë jo vetëm për vendet që aspirojnë por edhe ato anëtar. Procesi të jetë më i parashikueshëm dhe më dinamik. Ne po përpilojmë një propozim që do t’i marrë parasysh këto gjëra. Shtylla e dytë është që të kemi mundësinë të fillojmë negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut para Samitit të Zagrebit. Shtylla e tretë do të jetë vetë Samiti i Zagrebit ku shpresojmë se do të flasim për një plan ekonomik të zhvillimit të rajonit”, tha më tej ai.

Komisioneri Várhelyi theksoi se në këtë kuadër është vendimtare të vazhdohen reformat, të cilat po kryhen në Shqipëri. Ai deklaroi se marrëveshja për reformën zgjedhore është një gur kilometrik i rëndësishëm , duke premtuar se do të flasë me opozitën për rolin e saj.

“Sot kryeministri foli për një element të ri dhe është në fakt një domosdoshmëri absolute që jo vetëm të vazhdohet me reformat por pasi të çelen negociatat do të kërkohen dhe reforma më dinamike për rezultate më të mëdha. E kam mirëpritur angazhimin e Shqipërisë ë lidhje me këtë çështje. Duhet që të gjitha partitë politike në Shqipëri të ndihmojnë për ta bërë këtë realitet. Unë do të flas dhe me opozitën sot në mënyrë që të na ndihmojë që këtë çështje ta bëjmë sukses. Unë mirëpres dhe përparimin që është bërë me reformën në drejtësi. Vettingu ka treguar vendosmërinë për të zbatuar këtë reformë. Mirëpres dhe marrëveshjen për reformën zgjedhore. Është një gur kilometrik i rëndësishëm.
Duhet të bëjmë shumë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin. Duhet të punojmë për një shtet të së drejtës”, u shpreh komisioneri.

Ai ndau dhe një lajm të mirë për akordimin e një fondi prej 28 milionë eurosh për Shqipërinë për punën e bërë deri tani.
“Në lidhje me lavdërimet do të thosha që kam një lajm të mirë që dëshiroj ta ndaj me ju sot. Duke pasur parasysh punën e bërë nga Shqipëria, nga fondet e paraaderimit do të japim 28 mln euro për punën e bërë. PE ka një proces të caktuar, një procedurë që duhet ta ndjekin por propozimin e kemi çuar dhe do përfundojë shumë shpejt”, tha Várhelyi.

Sa i përket tërmetit ai tha se ka nisur zbatimi i fondit prej 16 mln eurosh nga KE dhe se do të kërkohet më shumë në Konferencën e Donatorëve.
“Për tërmetin dhe konferencën e donatorëve: Më lejoni t’iu shpreh ngushëllimet për ata që kanë humbur të afërmit. Ne do të jemi në krahë të Shqipërisë për të ndihmuar. Në shkurt do të organizojmë konferencën e donatorëve. Në Bruksel Ursula Von Der Leyen do të jetë mikpritësja. Presim rezultate të mira nga kjo konferencë. Do të flasim me të gjitha institucionet ndërkombëtare financiare, me të gjitha shtetet që ato të japin kontributin e tyre. Po ashtu e kemi biseduar këtë gjë me kryeministrin edhe për një njoftimin që kemi bërë, që e ka thënë KE për 15 mln euro dhe më kanë thënë që ka filluar zbatimi i kësaj shifre për të ndihmuar qytetarët.
Ne do të shkojmë në Durrës në mënyrë të menjëhershme që dhe unë të kuptoj cilat janë pasojat e tërmetit. Do të vijoj takimet me Presidentin e Republikës por edhe opozitën. Do të flas me të gjithë politikanët e vendit”, deklaroi Várhelyi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb