Kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme Mimi Kodheli në një intervistë me Skype në News 24, deklaroi se maxhoranca ka dialoguar me opozitën, por jo me non gratat.

Kodheli theksoi se është e kënaqur që Kuvendi i kthehet jetës normale parlamentare.

“Duam që gjithçka të kthehet në normalitet. Është humbur kohë me skena të turpshme në Kuvend. Komisioni i Punëve të Jashtme diskuton çështje që janë të rëndësishme. Kemi nënshkruar dokumente, me qëllim që qytetarët që duan të ushtrojnë profesionin jashtë vendit, të mund ta arrijnë këtë gjë në mënyrë më të lehtë.

Kemi arritur marrëveshje edhe me Kosovën, që studentët të mund të studiojnë në mënyrë reciproke në Kosovë apo në Shqipëri. Dua të theksoj se ne nuk negociojmë me non gratat, por po respektojmë atë pjesë të shoqërisë që sot janë në opozitë. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme, që të mos e çudisim botën me pamjet e trishta dhe të kthehemi në normalitet, sepse kërkesat dhe propozimet tona kanë qenë aty dhe gjithçka mund të arrihej edhe shumë kohë më parë”, u shpreh Kodheli.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb