TIRANË

Kreu i PR-së Fatmir Mediu, anëtar i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore propozon sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura.

Mediu tha se ajo çka i mungon këtij parlamenti është kushtetutshmëria si parlament dhe se ky nuk është më një parlament i zgjedhur, por është një parlament i emëruar. Sipas tij, momenti i parë që duhet të jetë reflektimi ynë, është kthimi i parlamentit te qytetarët.

“Mendoj që komisioni i reformës zgjedhore është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por së pari duhet të arrijmë në një kuptim të përbashkët, përpara se të fillojmë të merremi me detajet, të merremi me atë që është më kryesorja.
Ajo çka i mungon këtij parlamenti është kushtetutshmëria si parlament. Ky nuk është më një parlament i zgjedhur, por është një parlament i emëruar dhe në qoftë se ne nuk do ta nxjerrim këtë parlament nga procesi i emërimit dhe tua kthejmë qytetarëve të drejtën për të deleguar autoritetin e tyre, përfaqësinë e tyre në Kuvend nëpërmjet zgjedhjes dhe garës, mendoj që do kemi gjithmonë një problem të vazhdueshëm si në kushtetutshmërinë e parlamentit, në funksionimin politik të këtij parlamenti dhe në pluralizmin politik në përgjithësi. Mendoj që ky është momenti i parë që duhet të jetë reflektimi ynë, kthimi i parlamentit te qytetarët. Një republikë parlamentare iu jep të drejtën qytetarëve për të deleguar me votë në parlament përfaqësuesit e tyre.
E dyta, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk është thjesht një çështje e shkrimit të procedurave apo kërkesave që kërkon OSBE/ODIHR, por është respektimi i tyre dhe ne e dimë se kush janë problemet gjatë procesit zgjedhor. Duhet të gjejmë praktikat më të mira për ta shmangur që ligjin dhe vendimmarrjen për zgjedhjet në Shqipëri ta bëjnë grupet kriminale, apo paratë e krimit.

E treta, mendoj që një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në funksionimin politik dhe demokracinë e këtij vendi, në pluralizmin politik ka sistemi zgjedhor. Sistemi aktual është një vrastar i pluralizmit politik. Ka tentuar gjithmonë për të eliminuar pluralizmin, për t’iu hequr dhe mundësin e organizimit dhe funksionimit normal politik dhe të partive të mëdha. Ka ardhur koha që t’i referohemi sistemeve që janë më funksionale, më produktive, më me pak konflikte, me zgjedhje që i kanë nxjerrë përfundimet shpejt dhe kanë sjellë qeverisje më të stabilizuar që bazohet në radhë të parë te zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura i jep mundësinë çdo subjekti të konkurrojë bazuar në atë që ka dhe as në marrëveshje dhe asnjë shpërfillje të interesave politike të grupeve të caktuara.
Pika e katërt, është serioziteti që duhet të marrim për të mbështetur KQZ-në për votimin e diasporës, mundësinë e përfaqësimit të diasporës. Nuk është thjesht a do kenë mundësi për të votuar ku janë, por a do kenë mundësi për t’u përfaqësuar. “, deklaroi Mediu.

Ai tha më tej se është e domosdoshme për ne për të pasur mundësi të sjellim mendimin teknik dhe më pas të marrim vendimin politik.

“Ju jeni bashkëkryetarë, por nuk keni të drejta ex officio. Se kujt i adresoheni duhet të jetë objekt i këtij forumi. Shpresoj që të kem mirëkuptim tuaj sidomos në mënyrën e funksionimit të komisionit dhe asaj që është e domosdoshme për ne për të pasur mundësi të sjellim mendimin teknik dhe më pas të marrim vendimin politik”, u shpreh Mediu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb