Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka zhvilluar ditën e sotme seancën e radhës për prokuroren Donika Prelën, ish-drejtuese e Krimeve të Rënda. Prela ndodhet në KPA pasi Komisionieri Publik kërkoi shkarkimin e saj, pavarësisht se kaloi me sukses provën e parë të vettingut.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se Kolegji relatoi se është rrëzuar kërkesa e Prelës për përjashtim nga trupa të gjyqtareve Natasha Mulaj dhe Ina Rama.

Komisioneri Publik vlerëson se provat e paraqitura nga znj. Prela nuk sjellin asgjë të re, ndërsa thekson se kërkesa e saj për përjashtimin e gjyqtareve Natasha Mulaj dhe Ina Rama, ishte një përpjekje për të zvarritur proçesin dhe për ta vonuar atë. Sipas Komisionit Publik, Donika Prela e dinte se gjyqtarja Mulaj do të ishte pjesë e trupës gjykuese, ndaj edhe për këtë duhet të tregonte integritet.

Donika Prela u konfirmua në detyrë më 5 shkurt të vitit 2019 nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici. Megjithatë, vendimi i KPK-së u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili kritikoi justifikimin që trupa gjyqësore u bëri të ardhurave të pataksuara të bashkëshortit të Prelës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb