NGA ORNELA MANJANI
Fatura për kompensimin e pronarëve për vendimet e viteve 1993-2013 zbret në 410 miliardë lekë, nga 820 miliardë lekë që ishte parashikuar. Përgjysmimi i faturës së kompensimit të pronarëve vjen si rezultat i formulës së re që zbatohet në ligjin 133/2015, sipas të cilit, Agjencia e Trajtimit të Pronave po shqyrton dhe përcakton kompensimin për dosjet e pronarëve.

Në një analizë të posaçme që Ministria e Financave ka bërë për impaktin buxhetor të faturës për kompensimin e ish-pronarëve, referohet se vetëm me projektin-pilot të rrethit të Tiranës është arritur në konkluzionin se ulja e faturës financiare për të gjithë Republikën e Shqipërisë parashikohet të jetë mesatarisht 50%. Kjo për arsye se rrethi i Tiranës ka pasur një zhvillim më të madh si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga zgjerimi i vijës së verdhë të qytetit në krahasim me rrethet e tjera.

“Nisur nga përfundimi i arritur, nëse do të marrim në analizë vendimmarrjen 1993-2013, rezulton se vlera financiare e vendimeve të dhëna në vitet 1993-2013 është 820 miliardë lekë, sipas ligjit të vjetër, dhe arrin në 410 miliardë lekë sipas ligjit 133/2015.

Gjithashtu, ligji i ri ka parashikuar lehtësime për realizimin e procesit të kompensimit, si dhe shtim të burimeve financiare për Fondin Financiar të Kompensimit, me parashikimin e rasteve të veçanta për kompensim financiar, si dhe kompensimin fizik me ankand”, analizon Ministria e Financave.

Dokumenti është publikuar nga “Monitor” dhe, sipas tij, peshën më të madhe të uljes së faturës e mban grupi i vendimeve të kompensimit, të cilat sipas metodologjisë janë me ndryshim zëri kadastral 25% në krahasim nga zëri kadastral në kohën e shpronësimit. Ulje të ndjeshme brenda zërit kadastral “Tokë bujqësore” kanë edhe vendimet të cilave iu është llogaritur vlerësim ekonomik nga Komisioni, vlera e të cilëve do të indeksohet sipas vlerës zyrtare të inflacionit dhe interesit bankar, sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit.

Rastet e veçanta
Referuar rasteve të veçanta për kompensim financiar për këto vendime, fatura financiare prej 5 miliardë lekësh do të ezaurohet mesatarisht 30%. (Bazuar në nenin 17 të ligjit 133/2015, i cili parashikon kompensimin për 20%, 30%, 40% të vlerës së kompensimit, në një hark kohor prej 5 vitesh, është përcaktuar mesatarja e përqindjeve të sipërcituara).

Pra, vlera financiare e vendimeve të mësipërme, nga 410 miliardë, nëse 1/2 e tyre do të aplikojnë me kërkesa të veçanta apo me ankande, duke marrë për referencë që do të marrin 30% të vlerës, fatura do të arrijë në 266.5 miliardë. Buxheti i shtetit i parashikuar për kompensimin e ish-pronarëve për periudhën 10-vjeçare është 50 miliardë lekë.

Fondi fizik, i cili është në administrim të ATP-së, është 100 miliardë lekë (fondi i tokës bujqësore 37 miliardë lekë, fondi pyjor 60 miliardë lekë dhe fondi i objekteve 3 miliardë lekë). Me qëllim shtimin e burimeve financiare për fondin financiar të kompensimit, ATP-ja realizon ankande për shitjen e pronave, pjesë e fondit të tokës. Pra minimalisht, fondi për 10 vjet do të jetë 150 miliardë lekë.

Fondi i kompensimit të pronave
Fondi i kompensimit të pronave është një fond i vënë në dispozicion të kompensimit të vendimeve përfundimtare për kompensim, sipas përcaktimeve të këtij ligji, i cili përbëhet nga: a) Fondi Financiar i Kompensimit; b) fondi i tokës. Fondi i kompensimit është i paprekshëm. Asnjë organ administrativ apo gjyqësor nuk mund të disponojë mbi këtë fond, përveç subjekteve të parashikuara në këtë ligj për administrimin e tij.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb