FIER- Këshilli i Komunës së Kumanit i ka kërkuar Prefekturës së Fierit që komisioni i posaçëm i vlerësimit të dëmeve të riinspektojë 160 banesa në fshatin Marinzë, të cilat u dëmtuan nga shpërthimi i puseve të naftës më 1 prill të këtij viti. Kërkesa e krerëve të njësisë vendore ka ardhur pas ankesave të shumta të banorëve të Marinzës. Ndërkohë, mësohet se këshilli i komunës ka përpiluar një raport në lidhje me dëmet e mëdha të shkaktuara në banesa nga masakra mjedisore që ndodhi afro një muaj e gjysmë parë.

Në këtë raport theksohet se 46 familje në fshatin Marinzë duhet të kompensohen plotësisht, pasi shtëpitë e tyre janë bërë të pabanueshme. Burime zyrtare nga Këshilli i Komunës së Kumanit, dje bënë me dije se raporti në lidhje me dëmet e shkaktuara nga kompania naftënxjerrëse “Bankers Petroleum” dje është dorëzuar në Prefekturën e Fierit dhe më pas do i dorëzohet kompanisë kanadeze.

RAPORTI PËR DËMET NË MARINZË
Në raportin e përpiluar nga Këshilli i Komunës së Kumanit, pjesë e së cilës është dhe fshati Marinzë, pohohet se janë rreth 46 familje që duhet të marrin kompensim të plotë, pasi banesat e tyre janë krejtësisht të pabanueshme. Referuar këtij raporti, 66 familje duhet të dëmshpërblehen pjesërisht për dëmet në banesat e tyre. Ndërkohë që për 160 banesa të tjera në këtë fshat është kërkuar riinspektim i dëmeve. Kjo, bazuar në ankesat e bërë nga banorët.

Kreu i Komunës, Rajmond Plaka deklaroi për “Gazeta Shqiptare” se ky raport i është dorëzuar paraditen e djeshme prefektit të qarkut Fier, Xhevit Bushaj. Sipas kryekomunarit, raporti pas miratimit nga prefekti do i niset zyrtarisht drejtorisë së kompanisë “Bankers Petroleum”, e cila ka premtuar se do të zhdëmtojë banorët në masën 100 për qind. Ndërkaq, raporti i Komunës së Kumanit bie ndesh me vlerësimin e bërë nga komisioni i posaçëm, që u ngrit pas shpërthimit të puseve të naftës. Sipas këtij komisioni, në fshatin Marinzë, vetëm 20 banesa janë të pabanueshme dhe se 50 të tjera janë dëmtuar pjesërisht.

PREMTIMI I “BANKERS”
Disa ditë më parë zëvendëspresidenti i kompanisë kanadeze “Bankers Petroleum”, Mark Hodgson deklaroi se shtëpitë e dëmtuara nga shpërthimi i gazit në fshatin Marinzë do të dëmshpërblehen në masën 100 për qind. Sipas tij, vlerësimi është drejt fundit dhe se do ketë një vlerë të dëmit financiar të shkaktuar në 93 banesa që ndodhen në rrezen e 500 metrave nga vendi ku ka ndodhur shpërthimi. Gjithashtu, mësohet se “Bankers” do të hyjë në negociata direkte me banorët nëse ka pretendime për dëmshpërblim më të lartë se ai që ka vendosur komisioni që përdor tarifat shtetërore për dëmshpërblimet.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: