Mbahet në Tiranë të martën në mbrëmje, koncerti “La femme”, që bashkon muzikën e grave kompozitore nga Lindja e Mesme, Ballkani, Europa Perëndimore e Lindore Afrika e Jugut, SHBA-ja, Kanadaja e Amerikan Latine, mes tyre sigurisht edhe nga Shqipëria ku përfshihen Lola Gjoka e Eriona Rushiti. Mezosopranoja Flaka Goranci, producente e koncertit, na njeh me idenë.

“Është një program me 21 pjesë kompozitoresh gra, që sjell një rrugëtim dhe histori të ndryshme duke nisur nga kompozitorja e parë femër para 1 mijë vitesh. Është një tregim e inspirim, është muzikë e shumëllojshme e jo vetëm klasike duke përfshirë edhe këngë shumë të njohura si “Besame mucho” që janë shkruar nga gra”, thotë Flaka Goranci.

Koncerti e çon audiencën në një udhëtim muzikor përmes shumëllojshmërisë së stileve, zhanreve dhe kulturave të përfaqësuara nga kompozitoret. Është një nderim për krijimtarinë dhe shprehjen unike të vizioneve muzikore femërore duke nisur nga dy shenjtore të kishës, Kasia nga Kostandinopoja dhe Hildegarde Von Bingen, nga Gjermania.

“Kompozitorja e parë vlerësohet të jetë Kasia nga Konstandinipoja që ka qenë një një himnografe. Si duket, jeta e murgeshave ka qenë mjaft moderne dhe në atë kohë dhe ato kanë protestuar për disa të drejta. Krijimtaria e Kasias, “Pelagia”, flet për një kurtizane që ishte kthyer në murgeshë dhe jetonte e fshehur. Më pas kam edhe , krijimtarinë e Hildegarde Von Binden ishte një grua jashtëzakonisht e veçantë, ajo nuk merrej vetëm me muzikë por ka edhe libra të tjera për ushqimin për shembull dhe është e njohur në gjermani, atje ishte e shenjtë”, thotë Flaka Goranci.

Koncerti me hyrje të lirë, mbahet në kuadër të Javës Kulturore Austriake me dirigjimin e Konstantinos Diminakis dhe me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb