TIRANË

Koncesionet e florinjta është tema që po diskutohet sot në emisionin “Open” në News24, ku ekspertë të ekonomisë kanë folur për ndikimin e tyre në ekonomi dhe situatën në vend.

Bardhi Sejdarasi tha se koncesionet janë mënyra më e thjeshtë për të përdorur paratë publike dhe se koncesionari është përfituesi i parë. Sipas tij, nëse bëhet një kontratë koncesionare qeveria nuk mund ta zhbëjë dot më.

“Është një çështje që duhet të kishte tërhequr vëmendjen, është një problem që lidhet me qeverisjen dhe mirë qeverisjen. Në tre dekada rresht qeveritë kanë tentuar t’i përdorin paratë publike në mënyrën më të thjeshtë, me oferta të pakërkuara dhe të kërkuara. E kanë pasur më të kollajshme të tentojnë edhe në mënyrë korruptive dhe të marrin kontrata publike nga qeveritë shqiptare. Kemi pasur mbledhje qeverie që janë miratuar dhe tre kontrata.
Ka një element korruptiv brenda në mënyrën që ofrohet koncesionari.
Marrëveshjet koncesionare thonë shumë pak ose aspak. Anekset e marrëveshjeve janë pjesa e padukshme. Nëse shikoni anekset do befasoheni më mënyrën se si është bërë marrëveshja. Kontratat koncesionare në Shqipëri kanë ardhur thuajse të gatshme. Kompanitë e kanë sjellë gati setin e dokumentacionit. në momentin që kërkoj kontratë, kërraba tërheq nga vetja. Koncesionarët kanë qenë përfituesi i parë.
Çdo qeveri kur arrin të bëjë një kontratë koncesionare nuk i zhbën dot. I kanë instaluar ata që kanë sjellë kontratën. Nuk e kapje dot Rapiscanin”, tha Sejdarasi.

Mateo Spaho, Ekspert Ekonomie, Dekani i fakultetit Ekonomik në Universitetin “Luarasi” tha se në Shqipëri koncesionet mund të quhen të florinjta. Ai theksoi se qytetarë paguajmë një privat për të marrë një vepër ose shërbim që do kushtonte më shumë se sa ta bënte shteti

Po kështu sipas tij, është komode për qeveritë sepse mund t’ia lënë fajin koncesionarit dhe është një mënyrë për të dalë vetë të larë dhe një mënyrë për të pasur fitime direkte ose indirekte.

Ai tha se qytetarët shqiptarë paguajnë dhe shtetin dhe koncesionarin.
“Koncesionet në vetvete nuk janë as të mira as të këqija. Në disa raste në Evropën perëndimore koncesionet janë të justifikueshme.
Në Shqipëri ka pasur disa të tilla, koncesioni për rindërtimin e HEC-eve, pozitive.
Tani kemi probleme të tjera ku koncesioni është hapur qartasi, negativ ku ne si qytetarë paguajmë një privat për të marrë një vepër ose shërbim që do kushtonte më shumë se sa ta bënte shteti.
Problemi i dytë, është borxhi i fshehur. Formalisht Ministria e financave ka të drejtë. Borxhi që krijon nuk quhet borxh, por efekti ekonomik është i njëjtë. Unë jap lekët dhe ai tjetri i merr. Për të mbuluar atë borxh unë duhet të ul shpenzimet për qytetarët ose të rris taksat.
Ka dhe një element tjetër të fundit që qeveritë e kanë shumë komode të japin koncesione sidomos shërbime publike sepse fajin nëse është i keq ia lënë koncesionarit. Është një mënyrë për të dalë vetë të larë dhe një mënyrë për të pasur fitime direkte ose indirekte. Nëse e jep një shërbim me koncesion ti si shtet duhet të ulësh taksat dhe të ulësh numrin e punonjësve të administratës publike.
Qytetarët shqiptarë paguajnë dhe shtetin dhe koncesionarin”, deklaroi Spaho.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb