Edhe industria e cigareve në vend i kërkon qeverisë që të rishikojë çmimin e shërbimit të pullave fiskale.

Konsulenti i kësaj industrie Përparim Tushaj thotë se çmimet e pullave fiskale që kompania koncesionare “Sicpa Security Solution” ka vendosur prej 10 vitesh, janë diskriminuese për biznesin.

Bizneset kërkojnë që në rastin e përfundimit të kontratës koncesionare 10 vjet pas hyrjes në fuqi të saj më 24 Shkurt 2011 qeveria të dizenjojë një skemë më të lirë për kostot e pullave duke patur parasysh edhe kërkesat e tyre.

“Në Kosovë aktualisht për pullat e cigareve në një kompani që është në bashkimin europian pagujanë 2.2 usd për 1000 fije ne në Shqipëri që prodhohen këtu në vend paguajmë 24.2 USD për 1000 fije në kërkojmë nga qeveria që të shkojmë në nivelet që ka Kosova. Thashë mesatarja e Bashkimit Europian është 3 usd, pra të shkojnë tek 2.2-3 usd realisht janë të arsyeshme tek fabrikat që e prodhojnë sepse të gjitha këto i prodhon fabrika. Eshtë një diskriminim që i bëhet të gjitha industrive që merren pikërisht nga ky lloj koncesioni”, tha Perparim Tushaj.

Aktualisht çmimi i pullave fiskale në Shqipëri varion nga 20 euro për 1000 copë për duhanin, ne 32 euro për 1000 copë për alkoolin, deri në 14.43 euro për 1000 copë për ilaçet. Tushaj thotë se që kur kontrata koncesionare me shoqërinë “Sicpa Security Solution” ka hyrë në fuqi, nuk është luftuar informaliteti.

“Qëllimi kryesor për të cilin u nënshkrua ky koncesion në atë kohë ishte për të luftuar informalitetin dhe tregtinë ilegale por në realitet importet legale dhe konsumi legal ka një rënie nga 3500 ton që ishte përpara se të hynte SIPCA sot është 3000 ton nuk po marrim vitin 2020 meqë ka qënë viti I pandemisë por në këto shifra ka qënë më parë”,- shtoi Perparim Tushaj.

Njëzëri 11 importuesit dhe prodhuesit më të mëdhenj në vend të mallrave të akcizës në muajin dhjetor i dërguan një letër qeverisë ku kërkonin uljen e çmimit të pullave fiskale në nivelet që aplikohet në vendet e BE-së. Kontrata e koncesionit është miratuar më 2011 për vendosjen e pullave fiskale në mallrat e akcizës, si: birra, vera, cigaret, pijet alkoolike dhe barnat dhe pritet që të përfundojë së shpejti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: