Konferenca e Kryetarëve vendosi sot vetëm me votat e maxhorancës që në 16 maj ora 17:00 do të mblidhet Parlamenti për të zhvilluar raundin e parë të zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

Në mbledhje u vendos gjithashtu që afati i fundit për paraqitjen e dokumentacionit nga kandidatët të jetë 15 maji ora 16:00, ndërsa një ditë më vonë në 16 maj në orën 10 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve për shqyrtimin e kandidaturave. Deputetët e opozitës nuk janë shprehur as pro dhe as kundër propozimit të PS që u votua nga maxhoranca.

Debati në mbledhje

Balla: I qëndroj propozimit të bërë për të bërë votimin e parë në datën 16 maj në orën 17:00. Kjo datë është një datë e përshtatshme dhe brenda afatit që ka përcaktuar Kushtetuta.

Açka: Më kujtohet shumë mirë kur u zgjodh Meta, dhe një trashje zëri e Ramës që tha “dil tani dhe mbylle këtë punë”. E dëgjova edhe dëshirën tuaj për të negociuar me opozitën. Por unë kam drojet e mia dhe për shkak të asaj që ka ndodhur katër vite më parë, kam frikërat e mia në këtë pikë. Çfarë ka ndodhur? E shatë, e bëtë, hëngrët ngjala me të, e lëvduat, e çuat në Kushtetuese, tani do ti bëni funeralin politik. Tani duhet ti kërkonit një ndjesë qytetarëve për këtë. Ju hapët një process që këtu e shitët si process të mbyllur që u takonte vetëm ju.

Gjekmarkaj: Unë nuk pretendoj shumë se di të bëj politikë, por pretendoj paksa që di ta lexoj atë nga një sërë profesionesh që vërtiten rreth politikës. Në optikën time ky është procesi më i çuditshëm i zgjedhjes së Presidentit. Është një proces për të cilin flasim të gjithë dhe në të njëjtën kohë nuk ka proces. Unë besoj shumë që Procesi është në kokën e një individi, i cili prej natyrës për t’u argëtuar mendon se mund të argëtohet me shpenzimet e shoqërisë, të opozitës dhe të tjerëve, por është e drejta e gjithsecilit të bëjë zgjedhjet e veta. Po e filloj fjalën time nga ajo që z. Balla tha dje para mediave. A ka të drejtë maxhoranca të propozojë Presidentin e Republikës? Sigurisht që ka.

Çdo maxhorancë do ta kishte këtë të drejtë për ta propozuar sepse ka numrat dhe përgjegjësinë. Por kjo maxhorancë ka disa probleme, ka probleme me çështjen e zgjedhjeve, në raportet e DASH dhe OSBE/ODIHR dhe ka probleme me disa mandate, ku një pjesë e vogël, shpresoj të mos jenë shumë ka përfunduar dhe në qeli. Ana tjetër është mbingarkesa që kjo maxhorancë ka në pushtet. Ka totalitetin e institucioneve të vendit

Bushka: Konferenca e Kryetarëve është pjesë e një procesi parlamentar. Diskutimet se si një parti politike vendos standarde në kuadër të këtij procesi nuk i takon konferencës së kryetarëve, as paragjykimet as komentet. Komentet e tjera nuk janë për këtë mbledhje. Të gjitha grupet politike do kenë mundësi të diskutojnë. Raundi i parë të jetë në datën 16 maj, ora 17 me disa detyra që duhet të kryhen paraprakisht.E para ka të bëjë me dorëzimin e kandidaturave të paktën nga 20 deputetë. Më datë 16 maj, do të duhet që komisioni të vlerësojë kandidaturat e propozuara. Më pas do të bëhet vlerësimi dhe do të jepet raporti përkatës. Kjo të mbahet më datë 16 maj në orën 10.

Doda: Sot po flasim për burokraci, ndërkohë që këtu nuk bëhet fjalë për procedurë. Nuk është dëshirë e maxhorancës por detyrim kushtetues që tre votimet e para të bëhen me 3/5. Deri tani kam parë kritere që ka dhënë si opozita dhe maxhoranca. Dëgjova nga kolegët që kemi çështjen e të kaluarës të një personi. Mbështes faktin që Presidenti nuk vjen nga përfaqësues të komunizmit. Përpara se të vendosim datat, duhet të kemi proces, konsultime me grupet parlamentare dhe partitë politike që kanë njerëzit e tyre në Kuvend. Le ta kthejmë në një moment jo përplasje.

Nuk është thjesht çështje datash, nuk është thjesht çështje burokratike. Nuk besoj se është ky rasti. Në të gjitha rastet e tjera ky parlament ka pasur negociata çdo ditë ku mblidheshin njerëzit e rëndësishëm dhe debatohej. Besoj se në kritere duhet të jetë njeri politik. Ndërkohë ju thoni që kërkuat një javë kohë për të folur me grupet. Është çështja që duhet të nisë një proces ku palët duhet të gjejnë konsensusin, që të jetë një President sipas Kushtetutës. Sa më shpejt, përtej faktit të datave që ne i dimë shumë mirë. Nuk është çështje datash, por çështja e kreut të Shtetit. E kemi parë që tentohet të bëhet qesharak shumë herë. Duhet të zgjedhim një person që është garant i Kushtetutës. Hyni në një proces dhe mos jepni fjalën e fundit të parën. Data është gjëja më e shpejtë që zgjidhet mes nesh. Të gjejmë një person që është mbi palët.

Spiropali: Këtu është bërë zakon që të flitet për proceset e brendshme të PS-së, ky është një diskutim që nuk dua ta shtjelloj këtu sepse nuk dua të nxis asnjë debat në një ditë që kemi dakordësi të plotë për datën e votimit të parë të Presidentit. Ju lutem ta bëjmë këtë punë pa kushte, të dëgjojmë njeri-tjetrin. Përveç Meidanit, PS-ja ka negociuar me opozitën në të gjitha rastet e tjera për Presidentin.

Alibeaj: Kush iu tha ju që kemi vendosur kushte? Askush. E kam bërë të qartë këtu një javë më parë, ky parlament duhet të zgjedhë Presidentin e shqiptarëve. E mira do të ishte ta zgjidhnin vetë shqiptarët. Fatkeqësisht nuk e kemi këtë mundësi kushtetuese. Qëndrimi ynë është I tillë: të flasim para shqiptarëve, të na gjykojnë ata. Është I drejtë konstatimi i Açkës, pas 30 e kusur vitesh të paktën kjo shoqëri të gjejë forca të brendshme për të thyer disa tabu 30 vjeçare. Qëndrimet tona janë qëndrimet tona përballë shqiptarëve. Ne e kemi sfidën me shqiptarët. Jo më kot u thashë javën e kaluar, kjo është një mbledhje e natyrës burokratike ku do caktojmë datën e raundit të parë. Ju nuk keni të drejtë të vendosni kushte sepse jeni të deligjitimuar.

Shalsi: Të kemi opinione të kundërta nuk ka asnjë problem. Por kjo forcë drejtimi maxhorancës që po dëshmon se pavarësisht se e ka në dorë vetë ta zgjedhë, po iu sfidon duke kërkuar me vepra jo me fjalë, demonstron seriozitet. Gjuhën të paktën moderojni. Nuk po kuptoj ndonjë propozim konkret nga pala tjetër. Kolegët sot dhanë disa data për të thënë që vullneti është vullnet por ka disa procese kushtetuese që nuk mund ti anashkalojmë.

Felaj: Ne ramë dakord me kërkesën e kreut të grupit parlamentar që të merrej kohë për t’u diskutuar brenda grupit parlamentar. U pranua nga të gjithë. Besoj që e keni shfrytëzuar apo jo këtë kohë, sidoqoftë, ne jemi këtu pikë së pari për të siguruar anën formale të procesit. Meqenëse fillimi i procesit lidhet me konferencën e kryetarëve, në vijim të një dakordësie tjetër që raundi i parë të jetë 16 maji, në vendimmarrje të thuhet që Konferenca e Kryetarëve bie dakord që data e fillimit të procesit të jetë data 10 maj. Ne nuk jemi në Pazar, por për të respektuar kushtetutën dhe dhënë kontribut në përzgjedhjen e Presidentit të vendit.

Duma: Procesi i fundit i zgjedhjes së Presidentit nuk u bën nder juve, por nuk i bën nder as gjithë Shqipërisë. Ju sot vini me një vendim politik që të mos jetë politik Presidenti. Perceptimi që shkon në popull është që ju vetë deklaroni që një President politik është gati gati turp. Ju shpresoni që do ulemi këtu, do bëhemi noterë të procedurave tuaja, do merrni disa kritere nga ne dhe do ti përktheni ju, kjo është një gjë që nuk mund ta merrni. Ju kërkoni të jemi ne fasadë? Ne nuk kemi për tu bërë. Nëse jeni konstruktivë, megjithëse shkoni te 71 votat, është e thjeshtë fare, jepjani propozimin e parë opozitës, të japë emrin opozita dhe nëse doni të tregoni se jeni konstruktivë vini drejt kësaj. Ne nuk bëhemi fasadë.

Felaj: Të ndarët e keni ju, e kemi ne është thjeshtë Pazar. Ne nuk kemi hyrë për Pazar. Ne jemi për të respektuar kushtetutën dhe për të dhënë secili kontribut në zgjedhjen e kryetarit të shtetit.

Gjekmarkaj: Secili bie dakord që zgjedhja e presidentit është moment krucial në jetën e Republikës tonë. Kjo Republikës ka pasur Presidentë të mirë dhe më pak të mirë. Ka dy tipe presidentësh, një që zgjidhet me konsensus politik në pallatin e politikës dhe një president që zgjidhet me konsensus popullor. Presidenti më i mirë na ka rezultuar ai që është zgjedhur me konsensus politik kur ka pasur një besim mes palëve, aso kohe kryeministër Fatos Nano dhe kryetar opozite Sali Berisha për zgjedhjen e Moisiut.
Mendoj që ka qenë Presidenti që ka funksionuar më mirë.

Çfarë i kërkohet kësaj opozite në këtë proces, çfarë do të ofrojë opozita për Presidentin e Republikës. Nëse na kërkoni kandidatura, na jepni gjatësinë, na jepni ngjyrën, na jepni CV-në, na jepni shkollimin t’ju gjejmë kandidatura të ngjashme. Por që opozita të bëhet fasadë thjesht për tautologji televizive kjo nuk ka vlerë.
Ndoqa me vëmendje z. Shalsin, i cili u përqendrua te kriza e PD-së dhe ajo që ndodhi më 8 janar.
Është një krizë shqiptare dhe ajo. I prek të gjithë. Unë nuk jam krenar për atë krizë, qoftë për ata që kanë qenë brenda, qoftë për ata që sulmuan nga jashtë. E kam përjetuar keq, por nuk është kjo që e mbyll gojën e opozitës, kriza e brendshme për të pretenduar apo folur për Presidentin. Pas kësaj krize, janë mijëra shqiptarë kanë votuar opozitën që do të dëshironin një përfaqësim.

Kur do të jetë raundi i parë për votimin e Presidentit? Konferenca e kryetarëve vendos sot, ja propozimi i socialistëve

Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet sot në orën 12:30, si vijim i mbledhjes për fillimin e procedurave dhe përcaktimin e datës së votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se Konferenca e kryetarëve do të vijojë mbledhjen e nisur më 4 maj për të vendosur datën kur parlamenti do të mblidhet për raundin e parë për zgjedhjen e presidentit.

“Partia Socialiste ka propozuar datën 16 maj për seancën e parë.
Deri atëherë palët do të kenë në dispozicion 6 ditë për negociatat e mundshme me njëra-tjetrën për gjetjen nëse do të jetë e mundur e një emri konsensual për kandidat për President.
Sipas platformës së Alibeaj, kandidati për President duhet të jetë së pari antikomunist. PS e ka refuzuar këtë platformë. Këto ditë palët do të konsultohen me njëra-tjetrën, mund të ketë negociata dhe pse jo dhe takime për një kompromis të mundshëm. Deri tani nga qëndrimet e palëve duket se do jetë e vështirë.
Në mbledhjen e konferencës së kryetarëve do të jetë z.Alibeaj, znj. Mesila Doda, mund të jetë z. Fatmir Mediu, z. Balla nga grupi i PS dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali”, raportoi Gjençaj.

A janë gati socialistët për emra?
“Komisioni i ngritur nga PS, negociues por edhe i filtrimit të gjithë emrave, i përbërë nga Balla, Gjiknuri dhe Spiropali po kalojnë në sitë emrat, por deri tani nuk kemi asnjë emër të publikuar si propozim, duke i mëshuar arritjes së një konsensusi për një figurë të gjithëpranueshme. Synohet një konsensus me opozitën për tre raundet e para. Nëse nuk do të ketë një konsensus politik, maxhoranca e ka bërë të qartë që do ta votojë e vetme kandidatin për President. Në raundin e katërt dhe të pestë mjaftojnë 71 vota për të zgjedhur Kreun e ardhshëm të shtetit.
Opozita ka të drejtën e saj të thotë fjalën e saj, sikurse dhe maxhoranca ka të drejtë për deklarata dhe retorikë politike”, tha gazetari Gjençaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb